OSBE: Nxënësit e komuniteteve joshumicë në Kosovë vazhdojnë të bojkotojnë mësimin

Misioni i OSBE-së në Kosovë sot publikoi raportin e vlerësimit të cilësisë së arsimit parauniversitar pra për komunitetet joshumicë në vend, përmes të cilit u diskutua edhe qasja e komuniteteve në këtë nivel të arsimit.

Pavarësisht që gjuhët amtare të komuniteteve që jetojnë në Kosovë janë të përfshira në kurrikula nga MAShT-i, sipas këtij raporti ka mungesë tekstesh adekuate dhe mungesë fondesh për punësimin e mësimdhënësve të tyre.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu ka thënë se arsimi vazhdon të ketë rëndësi dhe ndikim jetik në perceptimin e një komuniteti ndaj komuniteteve të tjera.

Ai tha se raporti i përpiluar nga OSBE-ja jep informata për aspekte specifike të komuniteteve dhe ka për qëllim që të shërbej si platformë për politikbërje.

“Një numër i madh i komuniteteve joshumicë vazhdojnë të bojkotojnë mësimin në gjuhën serbe në 24 komuna të Kosovës. Shkollat me planprogram të Serbisë vijojnë mësimin në shtëpi ose banesa pothuajse të rrënuara siç është shembulli i shkollës në Plemetin. Nxënësit shqiptarë në disa komuna kanë vështirësi që të shkojnë në disa shkolla për shkak të transportit.”, theksoi Braathu.

Braathu gjithashtu shprehi shqetësimin për shkollat ku mësohet në gjuhën shqipe dhe ato në serbe, e të cilat nuk e kanë si lëndë mësimore gjuhën shqipe apo serbe meqenëse janë edhe gjuhë zyrtare, prandaj sipas tij, mësimi i këtyre gjuhëve në shkolla do të ndihmonte në integrimin e të dyja palëve.

Ndërkaq, zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Artan Berisha tha se komuniteti turk, egjiptian, boshnjak dhe serb janë pjesë e kurrikulave të MAShT-it, prandaj edhe numërojnë gjithsej 2671 nxënës në arsimin parauniversitar.

Ai tha se njëra ndër arsyet përse nxënësit e komuniteteve joshumicë kanë lehtësime në regjistrimin e shkollave të mesme është edhe ngritja e nivelit arsimor tek ta.

“MAShT ka përkthyer kornizën kurrikulare të Kosovës në tri gjuhë, atë serbe, turke dhe boshnjake. Që nga viti 2014 ndahen 590 bursa për komunitetet, ndërsa këtë vit 2018/19 do të ndahen nga 500 deri në 750 bursa për komunitete”, u shpreh Berisha.

Për zëvendëskryesuesen e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Arsim, Teuta Haxhiu mundësitë e shkollimit janë shumë të mira në Kosovë.

Edhe pse ajo nuk e mohoi që në Kosovë ka vende në të cilat ende nxënësit vijojnë mësimin në kontejnerë dhe me tri ndërrime.

“Problemi i komunitetit serb është manipulim i tërë prej politikës. Fëmija ka të drejtën e shkollimit në gjuhën e tyre por moskomunikimi me institucionet e një vendi ku ti jeton ndikon në zhvillimin e fëmijës. Ne duhet ta heqin mendësinë e ndikimit politik tek fëmijët.”, ka thënë deputetja Haxhiu.

Kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete Zivojin Cirkoviq, ka thënë se ka deputetë në Kuvendin e Kosovës të cilët nuk kanë njohuri për ekzistimin e kësaj zyre për komunitete që është në kuadër të zyrës se kryeministrit.

Duke iu referuar raportit që u prezantua nga OSBE, ai tha se këto lloj raportesh duken mirë në aspektin statistikor por shkollat në Mitrovicë i kanë kushtet shumë të këqija.

“Ne do të kemi rol shumë më aktiv nga viti i ardhshëm. Pavarësisht ligjeve, në terren po mungon faktori njeri. Komuniteti boshnjak nuk i kanë marr materialet në gjuhën e tyre, nuk ka integrim të serbëve, kështu është për 20 vite. Historia nuk është pjesa më e rëndësishme e integrimit e të rinjve. Ekologjia apo mjedisi mund të jetë një mundësi për t’i bashkuar komunitetet.”, theksoi ai.

E për aktivistin e shoqërisë civile, Gazmen Salijeviq vendet e Ballkanit e kanë shumë të vështirë që ta ndajnë emocionin nga puna, prandaj siç theksoi ai, kjo është arsyeja pse shumë pjesë të komuniteteve joshumicë kanë probleme.

“Ligjet janë të përsosura”, thotë ky aktivist, por duhet pasur edhe llogaridhënie.

“Nëse keni ndarë lëndët për gjuhën rome p.sh. përse nuk ndani edhe buxhet për t’i paguar mësimdhënësit. Ne kemi ligje, kemi politika, por kemi mungesë fondesh për t’i implementuar.”, përfundoi ai.
Kryetari i komisionit për arsim, Ismajl Kurteshi shtoi se tekstet me të cilat mësojnë nxënësit serb, shpeshherë ushqejnë urrejtje dhe largim nga komunitetet tjera e veçanërisht nga shqiptarët.