OSBE: Nuk kemi marrë kërkesë për ndihmë në procesin zgjedhor në komunat veriore

Misioni i OSBE-së në Kosovë nuk ka marrë ndonjë kërkesë nga institucionet e Kosovës për të ndihmuar në procesin e zgjedhjeve për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Kështu kanë thënë zyrtarët të këtij misioni në një përgjigje për KALLXO.com, duke mos dhënë më shumë detaje.

“Sapo e kemi parë vendimin, misioni nuk ka marrë ndonjë kërkesë për ndihmë/mbështetje”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Poashtu sot në orën 18:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhje pas shpalljes së Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të cilat do të mbahen më 19 maj 2019.

Katër kryetarët e komunave kishin dhënë dorëheqje në nëntorin e vitit të kaluar në shenjë pakënaqësie me tarifën doganore 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar se kryetarët e dorëhequr të 4 komunave veriore, ndonëse i kishin paraqitur dorëheqjet në nëntor të vitit të kaluar, ata pagat i kanë marrë deri në fund të muajit mars të këtij viti.