OSBE e shqetësuar për incidentet e fundit ndëretnike në Kosovë

Pas incidentit të fundit në fshatin Suhadoll të komunës së Graçanicës, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim për valën e fundit të incidenteve ndëretnike dhe ka bërë thirrje për reagim të menjëhershëm institucional.

“Dy javët e fundit janë raportuar një numër incidentesh ndëretnike në zona të ndryshme të Kosovës: 28 maj në fshatin Poterq të Ulët të komunës së Klinës ku pelegrinët serbë të Kosovës u penguan të marrin pjesë në një ceremoni fetare, me 30 maj në fshatin Zallq të komunës së Istogut ku u ngacmua një prift ortodoks serb dhe së fundi 5 qershor ku një shkollë fillore serbe e Kosovës në fshatin Suhadoll të komunës së Graçanicës u vandalizua dhe nxënësit u kërcënuan”, thuhet në njoftim.

Këto zhvillime të fundit shkëpusin një periudhë të gjatë të rënies konstante të incidenteve ndëretnike, rënie kjo e regjistruar nga Misioni në 2017 dhe 2018.

Misioni i OSBE-së u bën thirrje autoriteteve, agjencive të zbatimit të ligjit dhe udhëheqësve të komunitetit që të japin maksimumin e tyre për t’i zgjidhur incidentet e kaluara dhe parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.

“Shqetësimet e sigurisë së komuniteteve lokale kërkojnë reagime të shpejta dhe të vendosura institucionale”, thuhet në njoftimin e Misionit të OSBE-së në Kosovë.