Zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

OSBE: Do t'i përgjigjemi pozitivisht kërkesës së KQZ-së për ndihmë në zgjedhjet në veri

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mirëpritur kërkesën e Komisionit Qendror Zgjedhor për të ndihmuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në katër komunat me shumicë serbe.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e këtij misioni, Edita Buçaj, ka thënë se janë duke pritur një ftesë zyrtare të cilës do t’i përgjigjen pozitivisht.

“OSBE e vlerëson lartë besimin e partnerëve tanë, të pasqyruar në këtë vendim konsensual dhe pret kërkesën zyrtare nga KQZ, kërkesë së cilës Misioni do t’i përgjigjet pozitivisht. Misioni është i gatshëm të japë kontributin e vet në këto zgjedhje”, thuhet në përgjigje.

Në mbledhjen e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi që të kërkojë prezencën e Misionit të OSBE-së në Kosovë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan që janë thirrur të mbahen më 19 maj.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, kërkoi që OSBE-ja të jetë e përfshirë në këtë proces zgjedhor si trup këshillëdhënëse për çështje teknike.

Sipas saj, OSBE nuk do të ketë rol ekzekutiv apo funksional në raport të organizimit të zgjedhjeve.