OSBE çmim nxënësve boshnjakë që protestuan kundër ndarjes etnike të shkollës

OSBE-ja i dha një çmim ndërkombëtar nxënësve që organizuan protesta dhe arritën të ndalonin ndarjen e propozuar etnike të një shkolle në qytetin boshnjak të Jajces.

Çmimi Max van der Stoel i OSBE-së iu dha të premten në Hagë një grupi nxënësish që protestuan në vitin 2016 dhe 2017 kundër ndarjes së propozuar arsimore të fëmijëve boshnjakë dhe kroatë në një shkollë në Jajce në Bosnjën qendrore.

“Arsimi duhet të shikojë drejt të ardhmes, jo të kaluarës, dhe kjo dëshirë ishte motivi ynë,” tha Ajla Vrebaç, një ish-nxënëse e shkollës së mesme në Jajce, në ceremoninë e dhënies së çmimeve.

Lamberto Zannier, Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare, tha në ceremoni se komuniteti ndërkombëtare duhet t’i mbështesë më shpesh këto nisma.

“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim ato. Ky çmim është një akt simbolik, por rezultati që ata kanë arritur është i jashtëzakonshëm dhe frymëzues për të rinjtë në mbarë botën,” tha Zannier.

Nxënësit në Jajce, e cila ndodhet në njësinë e Federatës me shumicë boshnjake dhe kroate të vendit, arritën t’i detyronin autoritetet të hiqnin dorë nga propozimi për ta ndarë shkollën.

Protestat e nxënësve në Jajce u nxitën nga një propozim nga qeveria e kantonit të Bosnjës Qendrore për të ndarë fëmijët dhe për të krijuar një shkollë të re, në mënyrë që fëmijët boshnjakë të mund të studionin kurrikulën boshnjake dhe kroatët të mund të studionin kurrikulën kroate.

“Tre popujt përbërës (boshnjak, kroat dhe serb) jetojnë në vendin tonë dhe është e gabuar që ne të na mësojnë vetëm për dallimet tona. Besoj se së bashku mund të arrijmë shumë më tepër,” tha Vrebeç për OSBE më parë këtë muaj.

Sipas legjislacionit boshnjak, nxënësit kanë të drejtë të arsimohen në gjuhën e tyre dhe të mësojnë letërsi, histori, gjeografi, muzikë dhe art sipas një kurrikule të caktuar të programuar specifikisht për grupin e tyre etnik, edhe pse gjuhët e tyre – boshnjake, serbe dhe kroate – janë shumë të ngjashme.

Disa shkolla në Bosnjë dhe Hercegovinë funksionojnë sipas modelit “dy shkolla nën një çati”, në të cilin nxënësit boshnjakë dhe kroatë ndjekin të njëjtën shkollë, por mbahen të ndarë nga njëri-tjetri dhe mësojnë nga tekste të ndryshme ose krijohen shkolla krejtësisht të ndara për të ndarë grupet etnike.

Ka ende 30 institucione arsimore që përdorin modelin “dy shkolla nën një çati” në vend, pavarësisht kritikave në vend dhe në nivel ndërkombëtar.

Çmimi Max van der Stoel, i cili njeh “arritje të jashtëzakonshme në përmirësimin e pozitës së pakicave kombëtare” në shtetet anëtare të OSBE-së dhe organizohet nga Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare dhe qeveria holandeze, vjen me një çmim prej 50,000 eurosh.

Çmimi mban emrin e një burri shteti të shquar holandez, i cili ishte Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare.