Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Organizatat e shoqërisë civile e quajnë "të motivuar politikisht" vendimin për shkarkimin e Valdete Dakës

Organizatat e shoqërisë civile kanë kundërshtuar shkarkimin e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani Sadriu.

Përmes një komunikate për media këto organizata e kanë konsideruar vendimin si të motivuar politikisht dhe vlerësojnë se argumentet e dhëna janë të pabazuara.

“Bazuar në vendimin për shkarkim, ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga Presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse. Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që Kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote. Madje, rikujtojmë që puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve”, thuhet në reagim.

Tutje, këto organizata kanë thënë se një vendim i tillë  në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale përbënë ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së.

Reagimi i plotë:

Komunikatë për Media

Prishtinë, 14 qershor, 2021

Organizatat e shoqërisë civile kundërshtojnë shkarkimin e Kryetares së KQZ-së

Ne organizatat e poshtëshënuara të shoqërisë civile, kundërshtojmë vendimin e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Ky vendim konsiderojmë se është i motivuar politikisht, si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit.

Bazuar në vendimin për shkarkim, ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga Presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse. Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që Kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote. Madje, rikujtojmë që puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve.

Gjithashtu, marrja e këtij vendimi në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale përbën ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së në organizimin dhe administrimin e atyre zgjedhjeve.

Demokracia për Zhvillim (D4D)

Demokracia Plus (D+)

INDEP

INPO

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)

Lëvizja FOL

Organizata Nënë Tereza

Organizata Çohu

Syri i Vizionit

 Sot, Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka është shkarkuar nga kjo pozitë.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Presidencës të nënshkruar nga presidentja Vjosa Osmani.

Në vendim thuhet se Zyra e Presidentes i ka dërguar vendim ish-kryetares së KQZ Valdete Daka me të cilin thuhet se i ndërpritet mandati si kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkaq, vetëm pak orë pas shkarkimit të Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së, Presidentja Vjosa Osmani ka emëruar kryetarin e ri të këtij komisioni, Kreshnik Radoniqi.

Emërtohet kryetari i ri i KQZ-së pas shkarkimit të Valdete Dakës