FOTO - MPJ

Organizata për Bashkëpunim Islamik me rezolutë për njohjen e Republikës së Kosovës

 

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli është shprehur mirënjohës ndaj Organizatës për Bashkëpunim Islamik – OBI dhe shteteve anëtare për aprovimin e rezolutës, që bën thirrje për njohje të Kosovës.

Pacolli poashtu ka theksuar se pret njohje të Republikës së Kosovës edhe nga 19 shtetet tjera anëtare.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, e ka mirëpritur dhe përshëndetur aprovimin e Rezolutës për Kosovën nga 57 shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi.

“Mirënjohës OBI-it dhe shteteve anëtare për miratimin me unanimitet të Rezolutës, duke thirrur mbi shtetet e saj anëtare, që ta njohin Kosovën dhe mbështesin anëtarësimin e saj në Organizata Ndërkombëtare. Kosova do të vazhdojë angazhimin e saj me OBI-in dhe do të rris edhe më tej lidhjet”, ka thënë kryediplomati kosovar, Pacolli.

Ai ka deklaruar se: “Tashmë 38 shtete anëtare të OBI-it e njohin Republikën e Kosovës. Ne, presim që edhe 19 shtetet anëtare të kësaj Organizate, të cilat ende nuk e kanë marrë këtë vendim ta bëjnë këtë së shpejti. Rezoluta bën thirrje pikërisht për këtë dhe presim lëvizje të reja në këtë drejtim”.

Ministri i jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli, gjatë pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të Kosovës në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, në Abu Dhabi, ka takuar disa prej homologëve të tij nga 57 shtetet anëtare, që morën pjesë në këtë takim dhe që vijnë nga katër kontinente të ndryshme të botës.