Organizata e diasporës i reagon zyrtarit kosovar për ofendim

Organizata joqeveritare ‘GERMIN’ me në krye Liza Gashin, kanë reaguar ndaj sjelljes së zyrtarit kosovar Ejup Kamberaj, me pretendimin se i njëjti ka përdorur gjuhë ofenduese.

Kjo organizatë që është pjesë e punimeve për Projektligjin e Diasporës ka thënë se drejtoresha e tyre është ofenduar nga udhëheqësi i grupit punues për këtë projektligj.

“Zyrtari në fjalë, gjatë prezantimit të rekomandimeve të GERMIN për Projektligjin për Diasporën, që lidhet ngushtë me interesat tona shtetërorë, ka reaguar duke përdorur gjuhë degraduese ndaj punës dhe misionit tonë si organizatë. Ai gjatë fjalës së tij është shprehur se “GERMIN me qëllim që të pengojë diskutimin me publikun për Projektligjin në Konsullatën e Cyrih-ut, ka sjellë një qen brenda objektit të konsullatës””, shpjegojnë ata.

Sipas njoftimit GERMIN në asnjë mënyrë nuk ka tentuar asnjëherë që të pengojë procesin e konsultimeve “me publikun, përkundrazi ka marrë pjesë në të gjitha punëtoritë për hartimin e projektligjit, dhe ka organizuar edhe 3 takime të tjera fizike në diasporë dhe 4 takime virtuale në kuadër të programit për angazhimin e diasporës në zhvillimin e politikave”.

Rasti tjetër i ofendimit sipas tyre ka ndodhur gjatë diskutimit publik të mbajtur në Cyrih në tetor të vitit 2018 ku sipas ‘Germin’, Kamberaj ia ndërpreu fjalën znj. Gashi, me arsyetimin se “ka folur mjaftueshëm në Kosovë” për këtë temë

“Kërkojmë nga drejtuesit e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike që të ndërmarrin veprimet e duhura që kjo mënyrë e komunikimit të mos përsëritet, pasi që nuk është në të mirë të askujt dhe ndikon negativisht në proceset politikbërëse që kanë për qëllim angazhimin e diasporës”, bën thirrje GERMIN.

Ata theksuan se GERMIN nuk do të zmbrapset nga angazhimi i deritanishëm civil për të gjetur një gjuhë të përbashkët për një ligj sa më përmbajtësor për diasporën tonë.