Orëmatësit Vendosen Dy Vjet Pas Ujësjellësit

Orët për matjen e shpenzimeve të ujit kanë nisur të vendosen në këto fshatra, ndërsa deri tash banorët nuk e kanë paguar ujin e shfrytëzuar për mungesë të orëmatësve.

Shkëlzen Goçi, kryetari i komisionit për vendosjen e orëve tha për KALLXO.com se ato po vendosen në çdo shtëpi që ka ujësjellës nga kompania që ka fituar tenderin.

“Orëmatësit vendosen nga kompania që ka fituar tenderin, po ajo në bashkëpunim me “Hidrodrinin” me qenë se duhet të bëhet regjistrimi i personave po vendose ora dhe po bëhet menjëherë kontrata në mënyrë që të fillojë faturimi prej ditës parë të vendosjes së orës”, tha Goçi.

Goçi bëri të ditur se me vendosjen e orëmatësve po përfundon projekti i ujësjellësit të dhjetë fshatrave që ka kushtuar 490 mijë euro.

Për ujësjellësin e dhjetë fshatrave të Deçanit mjete përveç komunës ka dhënë edhe Ministria e Ambientit dhe Palnifikimit Hapësinor.

Kur të përfundojë vendosja e orëve, kompania “Hidrodrini” do të bëjë faturimin e shpenzimeve për shfrytëzuesit e ujit.

Agron Tigani, drejtori i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” tha për KALLXO.com se  pas vendosjes së orëmatësve do ndalen keqpërdorimet e ujit dhe do shkyçen të gjitha ata që nuk paguajnë për ujin e shfrytëzuar.

Në emisionin “Jeta në Kosovë” kur u bisedua me udhëheqësit  komunalë për punët e bëra gjatë dy vjetëve të para të mandatit, u diskutua edhe mungesa e orëve për matjen e  shpenzimeve të ujit në dhjetë fshatrat e Deçanit.

http://kallxo.com/therrat-e-llukes/

Orët janë duke u vendosur në fshatrat Prejlep, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Dubravë, Jasiq i Ri, Baballoq,Prekolluk dhe Rastavicë.