Fakulteti Filozofik i UP-së.

ORCA për Raportin e Komisionit Europian: Kritikat janë të sakta - UP është motori i daljes nga kriza në arsim

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka deklaruar se gjetjet e Komisionit Europian në Raportin për Kosovën 2019 kanë theksuar dy çështje shumë të rëndësishme për arsimin e lartë.

Në raport është thënë se “kualiteti i programeve post-diplomike që përgatisin për karrierë hulumtimi, janë të varfëra, ku të dyja llojet, institucionet publike dhe private, aplikojnë kritere jo të njëjta për avancime të bazuara në hulumtim dhe publikim shkencor”.

Andaj ORCA i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që ta adresojnë këtë çështje duke rritur kriteret në udhëzimet administrative përkatëse, si dhe duke detyruar institucionet private të arsimit të lartë t’u binden rregullativave në fuqi për avancime akademike, hulumtim shkencor dhe sigurim të cilësisë.

Në njoftimin e ORCA-s gjithashtu është thënë se ky raport thekson shqetësimin për avancime jomeritore, si dhe për mungesë të transparencës në rekrutimin e stafit mësimdhënës në të gjitha nivelet.

“Mediat dhe organizatat e shoqërisë civile vazhdimisht kanë ekspozuar rastet e plagjiaturës dhe avancimeve akademike bazuar në influencë politike dhe nepotizëm, përpara se në merita, shpesh duke involvuar profesorët në pozita të larta menaxheriale. Mungesa e transparencës në rekrutimin e stafit mësimdhënës dhe stafit menaxherial mbetet çështje në të gjitha nivelet e arsimit”, thuhet në raport.

Sipas kësaj organizate, jemi në momentin e fundit si shoqëri dhe institucione relevante të arsimit, për ta ngritur cilësinë dhe për ta unifikuar atë në të dy sektorët.

“Me gjithë progresin e shënuar nga Universiteti i Prishtinës si lider i institucioneve të arsimit të lartë si në sektorin publik si në atë privat, ORCA i bën thirrje Universitetit që me rastin e ndryshimit të rregullores për avancime që do të ndodh javën e ardhshme, të ngris kriteret.”, deklaron ORCA.

Sipas tyre, viti 2020 duhet ta gjejë UP-në me rregullativë dhe kritere të zbatueshme që i përshtaten targeteve evropiane, si dhe ta luaj rolin e vet në shoqëri si institucioni më i vjetër, më i mirë e më i rëndësishëm i arsimit të lartë në vend.