ORCA noton universitetet publike: Universitetin e Gjakovës dhe të Ferizajt i presim në afatin tjetër

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim(ORCA) sot ka publikuar një hulumtim mbi transparencën e universiteteve publike dhe ndikimin politik në këto institucione me titull “Transparenca formale e universiteteve publike – Universitetet në provim”.

Në hulumtim janë paraqitur të dhënat mbi ekzistencën e 27 dokumenteve nga universitetet publike, të cilat përbëjnë informacion bazik rreth funksionimit të tyre.

Sa i përket transparencës nga këto universitete sipas ORCA-së, asnjë nga to nuk ka arritur të marrë notën 10 e as 9.

Universiteti i Prishtinës prin në listën e rezultateve me notën 8. Ky pasohet nga Universiteti i Pejës, i Mitrovicës dhe ai i Prizrenit me notën 7. Universiteti i Gjilanit është në kufi të kalueshmërisë me notën 6. Ndërkaq Universiteti i Ferizajt dhe ai i Gjakovës kanë rënë nga provimi.

Drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj ka deklaruar se në vendin tonë janë dy fenomene ekzistuese në universitete publike.

Bëhet fjalë për një numër të profesorëve që kanë qenë pjesë e UP-së dhe që kanë përdorur universitetin për të fituar pozicione të larta politike, si dhe kategoria e profesorëve që kanë përdorur partinë për të siguruar një vend në universitet si ligjërues.

“Hulumtimi i vitit 2018 i bërë në katër fakultete të UP-së, në fakultetin filozofik 14 profesorë janë pjesë e partive politike, 9 janë PDK, 1 nga LDK, 2 nga AKR, 1 nga VV dhe 1 nga ORA. Në fakultetin juridik janë 11 profesorë që kanë funksione politike, 6 nga PDK dhe 5 nga LDK. Fakulteti Ekonomik ka 18 profesorë që janë pjesë e politikës, 10 nga LDK, 7 nga PDK dhe 1 nga VV. Fakulteti i Mjekësisë janë 7 profesorë, 3 janë nga PDK, 1 nga VV, 1 nga AAK dhe 1 nga AKR.”, ka thënë Demhasaj.

Ai shtoi që është e pamundshme që një profesor universitar të mbajë njëkohësisht shumë funksione sepse sipas tij, kjo nënkupton që profesori nuk është i rregullt në ligjërata dhe as në provime.

Hulumtuesi Gramos Buçinca nga ORCA, tha se gjatë hulumtimit kanë gjetur se asnjë nga universitetet publike nuk e ka të publikuar buxhetin dhe se janë detyruar që t’i sigurojnë të dhënat përmes ndarjes buxhetore.

Tutje ai theksoi se përveç UP-së i cili është 75 për qind i financuar nga taksapaguesit kosovarë, universitet tjera publike financohen për mbi 90 për qind nga buxheti i Kosovës.

“Kemi kërkuar 27 dokumente që janë kyçe për funksionimin e universiteteve përfshirë statutin, rregulloret për staf, për të hyra financiare dhe vendimet e tyre etj. Kemi gjetur se në shumicën e universiteteve publike mungojnë rregulloret që kanë të bëjnë me zgjedhjen e stafit akademik, mungojnë rregulloret për të ardhurat financiare. Notat e universiteteve janë vendosur duke pjesëtuar numrin e dokumenteve që i kemi gjetur, me numrin e dokumenteve që i kemi kërkuar. Universiteti i Prishtinës e ka 8. I Pejës, i Mitrovicës dhe i Prizrenit e kanë 7, i Gjilanit kalon me 6, Universitetin e Gjakovës dhe të Ferizajt i presim në afatin tjetër”, ka thënë Buçinca.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi tha se vetë mungesa e përfaqësuesve të gjashtë universiteteve në këtë tryezë, tregon se diçka po fshihet dhe janë ato gjëra që s’mund të arsyetohen para të tjerëve.

“Unë e di që në universitete nuk ka diçka të natyrës së tillë që të mbeten sekrete sepse financohen nga qytetarët dhe ata duhet të dinë se çka po ndodhë atje. Arsimin askush nuk guxon ta konsiderojë si të vetin dhe të bëj çfarë të dojë. Nëse studentëve nuk u jepet dija për të cilën po shkojnë atëherë ata po e bëjnë një krim për të ardhmen e vendit.”, ka thënë Kurteshi.

Deputeti i PSD-së, i cili është anëtarë i Komisionit Parlamentar për Arsim, Driton Çaushi theksoi se çështja e nevojës për rivlerësim të universiteteve vazhdon të konsiderohet kundër interesave kombëtare.

Tutje theksoi se është përkeqësuar situata në arsim sepse universitetet e reja publike besojnë se duhet të jenë të paprekshëm.

“Në projektligjin e ri për arsim të lartë ekziston një nen i cili thotë se universitetet e themeluara pas luftës nuk i nënshtrohen këtij kriteri për statutin. Nuk mendoj se duhet të amnistohen universitetet private por publiket marrin diku 27 milionë euro prej buxhetit të Kosovës dhe vazhdojnë të funksionojnë pa asnjë mbikëqyrje dhe pa asnjë kritikë.”, ka deklaruar deputeti.

Deputeti Çaushi theksoi se financat duhet të shkojnë drejtë Universitetit “Hasan Prishtina” dhe se shpenzimet në universitete të tjera janë humbje.

Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni u bëri thirrje universiteteve të reja publike, që të punojnë në krijimin e stafit të ri dhe të mos vazhdojnë të mbështeten vetëm në atë të UP-së, sepse siç theksoi ai, gjatë vlerësimit po hasin në këso lloj problemesh si pasojë e mungesës së stafit nga profili i caktuar.

Prorektori i UP-së, Faton Berisha kritikoi Komisionin Parlamentar për Arsim dhe Këshillin Shtetëror të Cilësisë, për mosinteresim ndaj sasisë së të hyrave vjetore nga universitetet private.

“Ka tri kategori universitetesh, Universiteti i Prishtinës, universitetet tjera publike dhe universitetet private. Buxheti është kategori determinuese e kualitetit, nuk mund të kërkohet kualitet kur është buxheti më i ulët për universitete në Evropë.”, ka theksuar prorektori.

Deputeti Kurteshi tutje tha se mendon që universitetet e reja janë bërë kryesisht për vota, si dhe ‘mu bo rektor, me bo një xhip edhe me bo një sekretaresh’.

Ai kritikoi edhe nivelin e cilësisë që po e prodhojnë universitetet në Kosovë.

“Ka raste kur ka magjistër po diturinë se ka as për Bachelor. A ka ma keq se një studentë me kry fakultetin e masterin edhe në fund rrugëdaljen e vetme e ka me shku në Gjermani. Politizimi e ka pru arsimin në këtë gjendje ka plotë njerëz që unë i njoh, s’i kanë përmbushë as kushtet elementare me u bo profesor por politika i ka bo.”, ka shtuar ai.

Në tryezë ishin të ftuar përfaqësues nga të gjitha universitetet publike, por vetëm Universiteti i Prishtinës ka pranuar ftesën dhe ka marrë pjesë në diskutim.