Foto: Kallxo.com

ORCA me aksion kundër vendimit të Gjykatës për ndalim të raportit të 'Admovere'

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka organizuar një aksion para Fakultetit Juridik në Prishtinë për plagjiaturën në publikimin akademik të profesorit të Fakultetit Juridik, Mejdi Bektashit.

Ky aksion ishte kundër vendimit të gjykatës, ku ka urdhëruar organizatën ‘Admovere’ dhe Shkëlzen Gashin, drejtues të kësaj organizate, që ta tërheqin nga qarkullimi përkohësisht pjesën e raportit që flet për plagjiaturën e profesorit Mejdi Bektashit.

Rron Gjinovci nga ORCA ka thënë se askush nuk ka të drejtë të cënojë fjalën e lirë, as një profesor, gjykatës apo politikan. Sepse sipas tij, fjala e lirë është themel i shoqërisë tonë.

“Jemi këtu që të protestojmë kundër vendimit të gjykatësit Adnan Konushevci i Gjykatës Themelore i cili ia ndalon përkohësisht nga qarkullimi organizatës ‘Admovere’, pjesën e raportit që flet për plagjiaturën e Mejdi Bektashit. Jemi këtu për ta mbrojtur interesin publik, e ai interes është që publiku të informohet rreth shërbimeve që merr nga institucioni publik përmes atyre që paguhen me paranë publike’’, ka deklaruar Gjinovci.

Sipas tij nuk mund të ndalohet një raport të lexohet publikisht i cili flet për plagjiaturë dhe është bazuar në një artikull të vitit 2007, i cili është publik dhe asnjëherë nuk është cilësuar si shpifje.

Gjinovci ka paralajmëruar se ORCA do të lexojë rregullisht këtë artikull, derisa Gjykata e Apelit ta rrëzojë vendimin absurd të gjykatësit Adnan Konushevci.

“Ia bëjmë me dije secilit që mendon se mund të na heshtë apo të na zmbrapsë, se me çfarëdo mjeti që vendosni ta bëni këtë do t’ju kthehet veç kundër jush, edhe më keq se që mund ta keni imagjinuar ndonjëherë’’, ka përfunduar Gjinovci.

Ndërsa sigurimi i Fakultetit Juridik tentoi që ta ndalonte ORCA-n ta mbante aksionin, duke e thirrur edhe Policinë e Kosovës, por këta të fundit ishin prezentë por nuk reaguan fare.

 

https://kallxo.com/orca-dhe-admovere-kerkojne-formim-te-komisionit-hetimor-per-plagjiaturat/

https://kallxo.com/profesori-universitar-padit-per-shpifje-admovere-pas-akuzave-per-plagjiature/