Rektorati i UP-së | Foto: KALLXO.com

ORCA kundërshton prezencën e Kadri Veselit në ceremoninë e përvjetorit të UP-së

Organizata për rritjen e cilësisë në arsim (ORCA), ka kundërshtuar prezencën dhe fjalimin e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli në ceremoninë e 49 vjetorit të themelit të Universitetit të Prishtinës.

Sipas tyre, në asnjë protokoll dhe logjikë Veselit nuk i takon fjala në një ceremoni të tillë.

“Ne i bëjmë thirrje Rektorit, i cili ka qenë pjesë e listave të PDK-së në zgjedhjet nacionale, që të mos vazhdojë të sillet si kandidat i PDK-së në zgjedhje, por si një Rektor i një institucioni autonom arsimor. ORCA ia rikujton Rektorit se garanca për vazhdimin e mandatit të tij deri në fund nuk buron nga PDK, por nga zbatimi me përpikëri i Statutit të UP-së dhe dispozitave të tjera ligjore në fuqi. Në të kundërtën, flirtimet e tilla me partitë në pushtet mund të rezultojnë në situata të vitit 2014, kur një paraardhës i tij ishte detyruar të jepte dorëheqje ndonëse e kishte përkrahjen e partisë me të cilën po flirton Rektori sot”, thuhet në reagimin e organizatës ORCA.