Rron Gjinovci nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim(ORCA)

ORCA kërkon që UP t’ia heq titullin ‘profesor i rregullt’ tetë profesorëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim(ORCA) sot para Rektoratit, kërkoi nga Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës, që t’i rekomandojë Senatit heqjen e titujve të fituar ndaj tetë profesorëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, si dhe marrjen e masave disiplinore.

Drejtori ekzekutiv i ORCA-s, Rron Gjinovci ka thënë se vitin e kaluar para rektoratit kishin denoncuar tetë profesorë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të cilët u avancuan në titullin e profesorit të rregullt edhe pse punimet me të cilat ishin avancuar nuk gjendeshin në revista kredibile.

Ai tregoi se tetë profesorët kishin publikuar nga shtatë deri në 19 punime, brenda një periudhe 1 vjeçare e gjysmë.

“Pas një analize profesionale, të ndihmuar edhe nga eksperti me famë botërore Jeffrey Beall, ORCA erdhi në përfundim që revistat ndjekin praktika të dyshimta. Më 6 korrik 2018 ORCA ka zhvilluar komunikimin e parë me SCOPUS ku ka ngritur dyshimet për revistat duke dërguar analizën e bërë. Më 16 korrik 2018 SCOPUS ka njoftuar ORCA-n se kërkesa jonë për rivlerësim të revistave do të zbatohet”, ka thënë Gjinovci.

Ai tutje deklaroi se më 19 korrik të vitit të kaluar, kishin organizuar aksion simbolik para Rektoratit të UP-së, përmes të cilit i kishin bërë thirrje Senatit të mos i avancojë këta kandidatë.

Drejtori i ORCA-s tha se pavarësisht paralajmërimeve, senati më 23 korrik avancoi këta profesorë.

“Më 26 nëntor 2018 ORCA ka përfunduar investigimet shtesë për të gjitha punimet e profesorëve të denoncuar dhe ka formuar këtë dosje masive prej 492 faqesh që i është dërguar Këshillit të Etikës. Në këtë dosje bëhet e qartë se në 36 punimet e 8 profesorëve së bashku, ka kopjim pa citim apo referencim, gabime drejtshkrimore e gramatikore, si dhe paraqitje të të njëjtës përmbajtje me dy tituj si dy punime të ndryshme”, ka theksuar ai.

Ndërkohë Gjinovci tha se argumenti kryesor i këtyre profesorëve, ishte se ata kishin përmbushur kriteret formale, pra ishin të indeksuara në platformën SCOPUS.

Ai tregoi më tej se më 23 prill të këtij viti, SCOPUS kishte njoftuar ORCA-n se revistat nuk janë më pjesë e indeksimit për vitin 2019 e tutje.

“Publikuesi është informuar se mbulimi i SCOPUS për të dy titujt nuk vazhdon për vitin 2019 e tutje. Po ashtu vendimi nga Bordi Këshillëdhënës për Përzgjedhjen e Përmbajtjes i SCOPUS do të jetë final dhe nuk do të rishikohet. Vlerësimi i SCOPUS për heqjen nga lista të këtyre dy revistave shkencore, është mbështetur në vlerësimin për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2017/2018, kur edhe kanë publikuar e janë avancuar 8 profesorët e FIM”, ka thënë Gjinovci.