Enver Hasani

ORCA Kërkon Përjashtimin e Enver Hasanit nga UP-ja

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ORCA kërkoi sot që Enver Hasani të përjashtohet nga mësimdhënia në Universitetin e Prishtinës.

“ORCA kërkon që Universiteti i Prishtinës menjëherë të fillojë procedurat për përjashtimin e tij nga institucioni publik pasi ka shkelur një sërë pikash të Kodit Etik të Universitetit të Prishtinës dhe rregulloreve të brendshme relevante”, thuhet në kom unikatën e organizatës.

Enver Hasani u dënua sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 1 vjet burg me kusht për kontratën e përkthimit të librave për UP-në në kohën kur ishte rektor.

ORCA më tutje tregon se në bazë të cilave nene të Kodit të Etikës Hasani mund të përjashtohet nga pozita e profesorit të rregullt në UP, pas dënimit që sot iu shqiptua.

“Ndaj të apostrofuarit për marrjen e masave, organet gjegjëse mund të thirren në nenin 5, nenin 6, nenin 13, nenin 14, nenin 15 dhe nenin 16 të Kodit të Etikës në Universitetin e Prishtinës”, vijon komunikata e ORCA-s.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim konstaton se Hasani mund të konsiderohet i papërshtatshëm për të qenë pjesë e stafit akademik në bazë të nenit 16, pikës 2 të Kodit të Etikës së UP-së.

“Kryerja e veprës penale, e cila ka çuar në dënim nga një gjykatë dhe e cila qartë e demonstron papërshtatshmërinë për të vazhduar si një anëtar i stafit akademik”, thuhet në këtë nen e këtë pikë, sipas ORCA-s.

Organizata përmend edhe nenin 6 të Rregullores për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit Akademik të Universitetit të Prishtinës.

“1.11 ‘Dëmtimi i pronës së institucionit me paramendim’; 1.17 ‘Keqpërdorimi apo përdorimi i paautorizuar i fondeve të besuara publike për përfitime personale ose në interes të personave të tjerë’; 1.18 ‘Kryerja e aktiviteteve që bien ndesh me interesat e institucionit apo veprimet që e dëmtojnë institucionin’”, thuhet në komunikatën e ORCA-s.

Organizata pret që “masat të jenë të shpejta, të sakta dhe të ashpra me qëllim të mbrojtjes së imazhit të Universitetit të Prishtinës”, përfundon komunikata.

KALLXO.com shkroi sot për dënimin e Enver Hasanit.