ORCA kërkon nga kryeministri që t'i mbajë duart larg Agjencisë së Akreditimit

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, njëherësh edhe organizatë që e monitoron punën e KShC-s, ka reaguar pas paralajmërimit të kryeministrit Ramush Haradinaj se do të marrë hapa pas mosakreditimit të 3 universiteteve publike dhe 4 kolegjeve private nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Sipas ORCA-s, është shqetësuese sesi kryeministri nuk ka informacione se çfarë është heqja e akreditimit e çfarë mbyllja e universiteteve.

“ORCA është e shqetësuar me nivelin e ulët të informimit të Kryeministrit dhe zyrës së tij lidhur me çështjen e mosakreditimit institucional të universiteteve publike të Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës. Mosakreditimi institucional do të thotë pamundësim i regjistrimit të studentëve vetëm për këtë vit, ndërkohë që këto institucione do të vazhdojnë të punojnë normalisht madje duke u përgatitur për aplikim për akreditim sërish vitin e ardhshëm”, thuhet të komunikatë.

Sipas tyre duke e marrë parasysh ndërhyrjen e mëhershme të kryeministrit në KShC, edhe ky reagim i sotëm rrezikon që Agjencia e Akreditimit të përjashtohet nga ENQA,

“Si Kryeministër i vendit zt. Haradinaj në vitin 2018 ia ka dhuruar Kosovës përjashtimin nga EQAR dhe degradimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditimin në Asociancionin Europian ENQA, nga “anëtar” në “anëtar nën vëzhgim”. Kjo ka ndodhur si pasojë e shkarkimit të bordit të kaluar të Agjencisë. Si rrjedhojë, Agjencia e Kosovës për Akreditim në shtator të këtij vitit do ta marrë vendimin përfundimtar për vazhdim apo jo të anëtarësisë në ENQA. Ndërhyrja e sotme nga Kryeministri, e dyta me radhë, qoftë edhe si deklaratë, tashmë e rrezikon Agjencinë për përjashtim nga Asociacioni Europian ENQA”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas tyre veprimet e paralajmëruar nga kryeministri janë në kundërshtim me ligjin, dhe si të tilla janë keqpërdorim i detyrës zyrtare.

“Veprimet a paralajmëruara të Kryeministrit çfarëdo qofshin ato do të jenë të paligjshme dhe në shpërputhje me 1. Me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe 2. Ligjin për Agjencitë e Pavarura. ORCA rikujton se Këshilli Shtetëror i Cilësisë është zgjedhur nga Kuvendi i Republikës dhe se çfarëdo vendimi nga ana e Kryeministrit Haradinaj do të kallëzohet penalisht nga ORCA si keqpërdorim i detyrës zyrtare”, thuhet tutje.

Tutje në komunikatë ORCA u bën thirrje organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë të reagojnë për ruajtjen e pavarësisë së agjencive të pavarura, ndërkohë u bën thirrje partive politike në pushtet të përmbahen nga populizmi.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.

Me këto vendime, Universiteti publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Pos Universiteteve Publike, Këshilli Shtetëror i Cilësisë, vendosi edhe për kolegjet private mbi rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtar, të cilët vlerësuar nëse institucionet e arsimit të lartë privat duhet të kenë akreditim institucional për këtë vit akademik.

Me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së vendosi që t’ia tërheq akreditimin institucional për vitin akademik 2019-2020 Kolegjit Fama, Kolegjit Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy.

Mbledhja e sotme ka qenë e monitoruar vetëm nga KALLXO.com dhe pas raportimit ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i cili në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se është i papranueshëm vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri Universiteteve Publike.