ORCA kërkon masa nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës ndaj Arian Janovës

Organizata ORCA gjatë ditës së sotme ka reaguar ndaj kërcënimeve të cilat janë bërë publike në medie në të cilat përmes audio-incizimeve mund të dëgjohet se si Arian Janova i kërcënohet studentëve të Parlamentit Studentor.

Arian Janova, ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë për shitje notash në Universitet të Prishtinës “Hasan Prishtina”, por ishte liruar nga Gjykata e Apelit me arsyetimin se lënda nuk ka qenë e plotë meqenëse prokurori nuk i kishte përfshirë edhe profesorët.

“ORCA është e indinjuar me faktin edhe pas shfaqjes së dëshmive të pakontestueshme në publik se personi në fjalë është përfshirë në afera të ndryshme që kanë çuar në dënimin e tij kohë më parë, ai vazhdon të pritet nga anëtarë të caktuar të Këshillit Drejtues, Rektorati, Dekanët në takime formale e joformale.”, thuhet në reagim.

Pas publikimit të këtyre thirrjeve telefonike kërcënuese ndaj studentëve, ORCA ka thënë se këto dëshmi tregojnë se “ai po mundohet të rikrijojë rrjetin e tij të ndikimit pas një pushimi deri në përfundimin e rastit të tij gjyqësor”.

“ORCA kërkon nga Rektorati që të merren masa urgjente për parandalimin e shtrirjes së ndikimit nga persona të tillë dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të takimeve të zyrtarëve të UP-së me persona të tillë.”, thuhet më tej.

KALLXO.com ka kontaktuar me Arian Janovën, por i njëjti ka thënë se nuk dëshiron që të flasë rreth kësaj çështje.

“Vetëm mundem me iu thanë që nuk është ashtu”, ka thënë Janova.

Ndërkaq, kryetari i Parlamentit Studentor, Arben Elshani tha për KALLXO.com se janë duke përgatitur një reagim që sqaron se si ka ardhur deri te kjo bisedë mes Arian Janovës dhe deputetit të Parlamentit Studentor.

“Kërcënime nuk janë bërë, thjeshtë i ka tregu që kanë bërë një tradhti ata të organizatës, por kjo nuk ka pas të bëj me ta. Ka qenë një bisedë e thjeshtë dhe nuk ka qenë për media. Ne nuk kemi të bëjmë me Arianin.”, ka thënë Elshani përmes telefonit.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Rektoratin e UP-së për të kërkuar sqarim rreth kësaj situate që është krijuar mes një ish asistenti të UP-së dhe një studenti të tanishëm, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.

Kjo organizatë gjithashtu i bëri thirrje organizatave studentore që ta bojkotojnë bashkëpunimin me këtë person dhe personat që janë të lidhur me të.

Kujtojmë se Arian Janova është njëri prej 12 të dënuarve nga Gjykata Themelore për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi të cilët sipas prokurorisë i kishin kryer për të pranuar studentë dhe për t’iu kaluar provime në Universitetin e Prishtinës.

Ndërsa, me 21 nëntor të vitit 2017, Gjykata e Apelit kishte miratuar ankesat e tyre dhe i kishte liruar.

https://kallxo.com/apeli-liron-studentet/

 

https://kallxo.com/denohen-studentet-per-ryshfet-dhe-ushtrim-ndikimi/

 

https://kallxo.com/sms-qe-flasin-per-provime-e-para-ne-gjykimin-e-studenteve/

.