ORCA Kërkon Llogari nga Haradinaj për Përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim  (ORCA) ka shprehur shqetësimet e saja për vendimin e organizatës ndërkombëtare, ” European Quality Assurance Register for Higher Education’ (EQAR), e cila ka përjashtuar Agjencinë Kosovare të Akreditimit nga anëtarësia.

Ky përjashtim ka ndodhur për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie që ishte bërë me kërkesë të kryeministrit, Ramush Haradinaj.

“ORCA është jashtëzakonisht e shqetësuar me vendimin e European Quality Assurance Register for Higher Education (EQAR) e cila ka vendosur ta përjashtojë Agjencinë e Kosovës për Akreditim për shkak të shkeljes së standardit të pavarësisë institucionale”, thuhet në reagimin e ORCA-së.

Në reagimin e saj, përfaqësues të ORCA-së kanë treguar se kishin kërkuar sqarim publik nga kryeministri Haradinaj për shkarkimin e anëtarëve të bordit por nuk kishin marrë ndonjë përgjigje.

“ Tani që Kosova ka filluar të pësojë nga vendimet e tij të pamenduara, ORCA mendon se është koha që kryeministri t’i bëjë publike të “dhënat konfidenciale” për veprimtaritë e mundshme ilegale të disa ish-anëtarëve të Bordit të AKA, ose të jap llogari institucionale për këtë degradim të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e ORCA-së.

ORCA u ka bënë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë MAShT që në afatin prej 90 ditësh për ankesë, ta bëjë të pamundurën që AKA të kthehet në EQAR duke garantuar për pavarësinë e institucionit.

European Quality Assurance Register for Higher Education (EQAR) është organizatë evropiane e institucioneve akredituese e cila shqyrton si organ i jashtëm sigurimin e cilësisë nga këto institucione. Kosova ka qenë një ndër pak vendet e rajonit që ka qenë pjesë e kësaj organizate.

http://kallxo.com/agjencia-kosovare-e-akreditimit-perjashtohet-nga-nje-organizate-nderkombetare/