ORCA demaskon profesorët e UP-së për mashtrim

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka prezantuar të dhënat për përpjekjet e profesorëve të UP-së për ndërhyrje në zbulimin e mashtrimeve me revista të dyshimta gjatë procesit të avancimeve akademike.

Drejtori i ORCA-së, Rron Gjinovci gjatë konferencës për media ka thënë se profesor të UP-së publikojnë shkrime të tyre në revista të dyshimta dhe nuk kërkojnë llogari nga ato revista për mashtrimin që iu është bërë, por përpiqen që të mashtrojnë prapë.

“Javë më parë ORCA ka ngritur çështjen e superme të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të cilët i kanë zbuluar dy revista shkencore nëpër të cilat disa nga profesorët kanë publikuar nga 18-19 punime Brenda një viti e gjysme. Ndërkohë që mesatarja për profesorët norvegjezë është 0.96 punime në vit, pra më pak se një punim brenda vitit”, ka thënë Gjinovci.

“Operacioni ‘Vreshtat’ arriti të demaskonte revistën “International Journal of Pharmaceutical Sciences Revieë and Research” në të cilën kemi dërguar një punim pa asnjë vlerë shkencore me autor Rrush Kalaveshi nga Universiteti inekzistent i Ranillukut, punim i cili është publikuar”, shtoi ai.

Në mbledhjen e së herës se kaluar, Senati i UP-së për herë të parë ka marrë një vendim për futjen në listë të revistave të dyshimta, revistën në fjalë dhe për më tepër nuk i ka avancuar profesorët që kanë pasur punime të publikuara në atë revistë.

Gjatë fjalimit të tij, ai akuzoi profesorin Ilir Shehu, që sipas Gjinovcit, ai ka komunikuar me palë të tjera rrejshëm në emër të fakultetit, duke u paraqitur në funksione që ai nuk i posedon dhe duke sfiduar vendimin e Senatit për ta futur në listë të revistave të dyshimtë revistën në fjalë.

“Në mesin e këtyre profesorëve është Ilir Shehu i cili nuk është mjaftuar me skandalin në të cilin tashmë është përfshirë. Ai i ka dërguar një email revistës duke paraqitur veten si prodekan pa qenë i tillë sipas ueb-faqes së UP-së. Ilir Shehu është në kundërshtim flagrant me nenin 6, 14 dhe 15 të Kodit të Etikës ku parashihen shkeljet e rënda disiplinore dhe parimet e përgjithshme të përgjegjësive akademike e shkencore të stafit akademik. Prandaj ne kërkojmë të merren masa urgjente ndaj tij”, ka thënë Gjinovci.

Ndërkohë, ORCA njofton publikun se kushdo që përpiqet ta minojë rrugën e integritetit akademik institucionet si MAShT, Senati i UP-së, Menaxhmenti  i UP-së dhe shoqëria civile po mundohen ta shtrojnë, ORCA do të jetë aty për t’i diskredituar përpjekjet e tyre dhe për t’i luftuar aktivisht ato përpjekje, me të gjitha format.