Vendi ku vdiq Krenar Jemini - Foto: KALLXO.com

Opozita: Vdekja e Krenar Jeminit dëshmon pozitën e pambrojtur e të pasigurt të punëtorit

Dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, kanë reaguar ndaj vdekjes së Krenar Jeminit në vendin e punës dhe ndalimin që ia ka bërë kompania “Lab Oil” Kryeinspektorit të Punës që të hyjë në vendin ku ka ndodhur rasti tragjik.

Fatmire Mulhaxha- Kollçaku, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se është për keqardhje se si vazhdojnë të ndodhin aksidentet në vendin e punës.

“Është për keqardhje që po vazhdojnë aksidentet me fatalitet nëpër vende të punës dhe nuk e kemi ndonjë përgjigje institucionale”, ka thënë deputetja për KALLXO.com.

Ndërsa, ajo ka thënë se është e papranueshme që të ndalohet Kryeinspektori i Punës në vendin ku ka ndodhur aksidenti tragjik.

“Një kompani ia ka leju vetes që mos t’ia lejojë qasjen Kryeinspektorit në vendin ku ka ndodhur aksidenti. Kjo jo vetëm që është e patolerueshme, ne vazhdimisht kemi kërkuar rritjen e numrit të inspektorëve, sepse mendojmë që nuk ka kapacitete të mjaftueshme. Se roli i inspektorit nuk është vetëm me shku kur të ndodh, si në këtë rast aksidenti, por kërkohet në krijimin e parakushteve dhe parandalimin e aksidenteve”, tha Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Më tej, deputetja e VV-së tha se kur një kompani vepron kundër Inspektoratit të Punës, fjala më nuk është për një shtet ligjor.

“Nuk kemi shtet ligjor, nëse një kompani ia mbyll derën Kryeinspektorit pas një rasti kaq tragjik. Këtu nuk flasim për shtet ligjor. Thjeshtë nuk kam koment” tha ajo.

Edhe nga Partia Socialdemokrate kanë thënë se një rast i tillë është i papranueshëm, ndërsa për vdekjen e punëtorit 22-vjeçar në vendin e tij të punës, kanë thënë se veç e dëshmon gjendjen e sigurisë së punëtorëve në vend.

“Vdekja e Krenar Jeminit na dëshmon edhe njëherë pozitën e pambrojtur e të pasigurt të punëtorit në Kosovë. Nuk ka ditë që nuk dëgjojmë për lëndime, aksidente, largime, për punëtorët të cilët detyrohen që për një vend pune të punojnë në kushte të rënda e me pagesa të padinjitetshme. Po ashtu nuk ka ditë që nuk themi që numri i inspektorëve nuk mjafton për të zbatuar sigurinë në punë. Moslejimi i Kryeinspektorit është i papranueshëm dhe duhet të ndiqet nga organet e rendit”, ka thënë Natyra Kuçi nga zyra për media e Partisë Socialdemokrate.

Sipas Kuçit, kjo do të duhej të ishte zilja e fundit për ligjvënësit dhe ekzekutivin për të ndërmarrë masa për sigurimin e vendeve të punës posaçërisht në sektorin privat.

Në anën tjetër, deputetja Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se për rastet kur punëtorët vdesin në vendin e punës, duhet të ndahen para për familjet e tyre nga buxheti i shtetit.

“Unë personalisht kam kërku që çdo person që ka vdekur në vendin e punës, Qeveria t’i ndajë një shumë të caktuar të të hollave, si ndihmë emergjente, sepse këto familje brenda natës shndërrohen në raste sociale, ka nga to që humbin kryefamiljarin”, ka thënë ajo.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin e vdekjes së 22 vjeçarit nga Mushtishti i Suharekës.

https://kallxo.com/video-si-ndodhi-vdekja-e-22-vjecarit-ne-pune/

www.kallxo.com