Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Foto: ZPRK

Opozita i Thotë JO Ftesës së Presidentit

Presidenti Hashim Thaçi ka ftuar për nesër në një takim krerët e partive politike për të diskutuar për reformën zgjedhore. Por, asnjëri nga liderët opozitarë nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

Të kontaktuar nga KALLXO.com veç e veç, opozitarët kanë dhënë pak a shumë të njëjtën arsye, duke e quajtur të vonuar debatin për reformën zgjedhore, ngase presin që zgjedhjet të bëhen brenda muajsh.

“Jo, ne nuk do të marrim pjesë. Zgjedhjet janë zgjidhja dhe nuk e shohim të arsyeshëm këtë takim nga institucionet që tashmë kanë humbur legjitimitetin. Është vonë për reformë”, tha Shkodran Hoti nga Zyra për Informim e Lëvizjes Vetëvendosje.

Takim të vonë e quan edhe zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj. Veç kësaj ai thotë që lideri i kësaj partie nuk është në Kosovë.

“Por, edhe po të ishte Haradinaj këtu nuk do të merrte pjesë. Është vonë për reformë zgjedhore. Presim zgjedhje”, tha ai.

Deputetja e NISMA-s, Valdete Bajrami, tha se nesër bashkë me AAK-në do të mbajnë konferencë për media në të cilën do të flasin për këtë çështje.

“Nesër do ta bëjmë publik qëndrimin tonë”, tha ajo.

Megjithatë AAK ka konfirmuar qëndrimin kundër.

Të tri subjektet opozitare e kanë pranuar se kanë marrë ftesë nga presidenti për takimin e nesërm, që pritet të mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Edhe liderët e pozitës janë jashtë vendit në vizita zyrtare. Kryeministri Isa Mustafa gjendet në Londër e kryeparlamentari Kadri Veseli në Budapest.