Opozita Refuzon Demarkuesit e Huaj të Presidentes

Presidentja Atifete Jahjaga e ka ngritur komisionin për demarkacionin në përpjekje për t’i adresuar shqetësimet e ngritura nga opozita përmes veprimeve në Kuvend dhe në rrugë, por partitë opozitare nuk janë të bindura se ky komision është gjëja e duhur.

Në një deklaratë të lëshuar pak pasi u zyrtarizua komisioni treanëtarësh ndërkombëtar, tri subjektet opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA kanë ngritur dyshime për kushtetutshmërinë e themelimit të këtij komisioni nga ana e kreut të shtetit.

“Presidentja duhet të tregojë se në cilin nen të Kushtetutës e ka mbështetur krijimin e këtij Komisioni. Ka mundësi që krijimi i një Komisioni të tillë, të rezultojë me shkelje të Kushtetutës”, thuhet në deklaratë.

Partitë opozitare duke kundërshtuar këtë komision të përbërë nga një amerikan, një gjerman dhe një britanik, i janë referuar një peticioni të qytetarëve me 205 mijë nënshkrime të nënshkruar në vjeshtë të vitit të kaluar me të cilin është kërkuar anulimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit më Malin e Zi të nënshkruar nga ish ministri i jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i brendshëm, Skënder Hyseni, më 26 gusht në Vjenë.

http://kallxo.com/presidentja-themeloi-komisionin-nderkombetar-per-demarkacionin/

“Ende Qeveria e Kosovës nuk është tërhequr nga pozicioni i cili është përgatitur në Komisionin qeveritar të drejtuar nga Murat Meha”, thuhet në deklaratë.

Sipas opozitës, çdo komision vlerësimi që fillon punën sipas materialeve e metodës së njëjtë, pra përcaktimin e vijës kufitare sipas kadastrit, do të vijë në përfundim të ngjashëm me atë të komisionit qeveritar.

“E ai përfundim, i njëjti me atë të Qeverisë aktuale, është i pasaktë dhe i padrejtë, dhe për ne i papranueshëm, ngase mund të tentojë ta legjitimojë komisionin e kaluar”, thotë opozita.

Në vend të ndërkombëtarëve, opozita ka rekomanduar emra kosovarë të cilët, sipas tyre, do të mund ta adresonin çështjen e shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.