Opozita: Protestë Paqësore për Largim të Qeverisë

Donika Kadaj-Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se pas të gjitha zhvillimeve të fundit në vend dhe gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese ka arsye të fortë për të protestuar më 9 janar.

“Ne si opozitë do të vazhdojmë të kundërshtojmë marrëveshjet, por tani edhe legjitimitetin e kësaj qeverie sepse ata shkelën Kushtetutën,” tha Kadaj- Bujupi.

Gjykata Kushtetuese më 23 dhjetor në vendimin e saj konstatoi se parimet e marrëveshjes për asociacionin të nënshkruar më 25 gusht nuk janë në pajtim me disa nene të kushtetutës, por nuk e anuloi atë marrëveshje.

Donika Kadaj-Bujupi tha më tutje në konferencën e parë të opozitës për vitin 2016 se të shtunën të gjithë qytetarët duhet të dalin në protestë për të ardhmen e Kosovës.

Opozita po kundërshton marrëveshjet për asociacionin dhe demarkacionin të nënshkruara në Bruksel e Vjenë më 25 e 26 gusht, duke kërkuar nga qeveria që të tërheqë nënshkrimet prej tyre, ndërsa nga 28 nëntori i vitit të kaluar ka mbajtur një seri manifestimesh nëpër komunat e Kosovës.

Paralelisht me manifestimet, subjektet opozitare duke përdorur edhe gaz lotsjellës u munduan ta pengojnë punën e Kuvendit që nga fillimi i sesionit të tij vjeshtor.

Nën dyshimet për aktivizim të gazit lotsjellës në seancën e legjislativit, Donika Kadaj-Bujupi u arrestua më 18 nëntor 2015.

Deputetes së AAK-së më pas iu caktua paraburgimi, ndërsa ai iu ndryshua në arrest shtëpiak më 9 dhjetor .

http://kallxo.com/donika-kadaj-bujupi-ne-arrest-shtepiak/

Ndaj Kadaj-Bujupit dhe tre deputetëve tjerë opozitarë u ngrit aktakuzë më 16 dhjetor.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-kater-deputeteve-te-opozites/

Në ditën e fundit të 2015-ës Kadaj-Bujupi u lirua nga arresti shtëpiak, ndërsa nuk iu caktua masë tjetër sigurie.

http://kallxo.com/faton-topalli-ne-arrest-shtepiak-donika-kadaj-bujupi-ne-liri/

Në konferencën e opozitës foli edhe nënkryetari i “Vetëvendosjes” Driton Çaushi.

Ai tha se debati për këto marrëveshje është fituar nga opozita, por sipas tij tani ka ardhur një moment tjetër ku pritet një përgjigje nga Qeveria.

“Tanimë janë bërë mbi dy javë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese nga i cili vendim janë thirrur vazhdimisht Kryeministri dhe zëvendësryeministrisi në referencë, pas të cilit do të jepnin llogari nëse do të gjendej ndonjë shkelje për marrëveshjen mbi zajednicën. Përveçse nuk kemi asnjë përgjigje, kemi një arroganë dhe një insistim të vazhdueshëm për implementimin e një projekti serb,” tha Çaushi.

Qeveria, ditën kur doli vendimi i kushtetueses për asociacionin, u zotua se do ta zbatojë atë.

http://kallxo.com/qeveria-zotohet-ta-zbatoje-vendimin-per-asociacionin-e-komunave-serbe/

Përveç Çaushit llogari nga Kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij Thaçi kërkoi edhe Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën, pasi sipas saj këta të dy janë deklaruar se me asnjë pikë e asnjë presje nuk është shkelur kushtetuta.

“Nuk është marre me thënë që kemi gabu, kemi nënshkruar një marrëveshje që nuk e kemi lexu dhe është më mirë sa nuk është vonë që të dorëhiqen,” tha Bajrami.

Bajrami tha gjithashtu se kur i është bërë ftesë qeverisë që të tërheqë marrëveshjet dhe të vazhdojë të qeverisë, opozita nuk është marrë parasysh, prandaj sipas saj tani kërkohet rrëzimi i qeverisë.