Opozita Pritet të Heshtë Nesër

Sipas Krasniqit, partitë opozitare përveç që nuk do të marrin pjesë në seancën e nesërme, nuk do të kenë asnjë aktivitet simbolik e as nuk do të protestojnë në ditën kur Hashim Thaçi do ta japë betimin për President.

Vendimi i AAK-së për bojkotimin e seancave të Kuvendit vazhdon, e bojkotit edhe nesër, si në mbledhjet e kohëve të fundit i bashkohen edhe “Vetëvendosje” e Nisma.

“Jo ne nuk do të marrim pjesë në seancë,” tha për KALLXO, zëdhënësi i “Vetëvendosjes”, Frashër Krasniqi.

Krasniqi tha se vendimi ka qenë në koordinim me partitë opozitare.

Veç mospjesëmarrjes në seancë, nesër nuk do të ketë as protestë.

“Nuk do të kemi as protestë para Kuvendit në ditën e betimit. I kemi koncentruar aktivitetet tona kundër kësaj qeverie,” tha Krasniqi.

Por zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj tha për KALLXO.com se partitë opozitare nuk kanë folur në lidhje me ndonjë aktivitet të mundshëm nesër.

Kujtojmë që më 26 mars kur Hashim Thaçi u zgjodh president, brenda në sallë ka pasur lotsjellës dhe  jashtë sallës protestë.

http://kallxo.com/live-zgjedhja-e-presidentit/

Nesër në seancën solemne në orën 11:00 do të bëhet betimi i Presidentit të ri, Hashim Thaçi.