Njëra nga protestat e opozitës | Foto: KALLXO.com

Opozita nuk e ka Harruar Asociacionin

Aktivitetet opozitare kundër marrëveshjes për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi të nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015, kohëve të fundit kanë lënë nën hije kundërshtimin që partitë opozitare i bënin zëshëm marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe të nënshkruar në Bruksel, një ditë para asaj për kufirin.

Por shefi i grupit parlamentar të AAK-së Pal Lekaj edhe pse e pranon se tash po flitet më shumë për demarkacionin, mohon se kundërshtimi i themelimit të asociacionit është harruar.

“Ne jemi të vendosur që me çdo kusht ta kundërshtojmë marrëveshjen për asociacionin. Kjo nuk është heshtje e jona, kurdo që qeveria tenton ta kthejë asociacionin do të hasë në kundërshtimin tonë,” tha Lekaj për KALLXO.com.

Për ta argumentuar këtë Lekaj tha se do të kundërshtohet krijimi i komisionit për hartimin e Statutit të Asociacionit.

Ndërsa zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje” Frashër Krasniqi tha për KALLXO.com se asociacioni është projekt i vdekur.

“Tash për tash, asociacioni është projekt i vdekur. Këtë e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese e edhe reagimi masiv gjithpopullor. Mirëpo, me qeverinë që e kemi në krye gjithmonë ekziston rreziku i ringjalljes së projekteve të dëmshme për Republikën. Prandaj, ne jemi këtu dhe nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë ringjalljen e këtij projekti. Do ta pamundësojmë në çfarëdo mënyre civile,” tha Krasniqi.

E se asociacioni nuk është temë diskutimi as ndërmjet partnerëve të koalicionit e thotë edhe deputeti i Listës Serbe, Nenad Rashiq. Ai tha shumë shkurt për KALLXO.com se ende nuk ka asgjë të re në atë drejtim.

Partitë opozitare deri tash kanë organizuar një sërë protestash e aksionesh në kundërshtim të këtyre dy marrëveshjeve.

Në fillim të majit shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini kishte thënë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se Asociacioni duhet të formohet sepse sipas saj do të punojë në kuadër të ligjeve të Kosovës.

http://kallxo.com/mogherini-asociacioni-duhet-te-formohet/