Foto: Arkiv

Opozita në Protestë me Një Arsye Shtesë

Para se tre deputetë të partive opozitare ta dorëzojnë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Hashim Thaçit në pozitën e Presidentit të Kosovës, kryetarët e këtyre partive treguan se organizimi kundër Qeverisë po vazhdon dhe protesta e ardhshme gjithëpopullore do të mbahet më 26 mars, në orën 14:00, te sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë.

Visar Ymeri kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se në kuvend ka pasur një votim skandaloz dhe se ‘pushteti tentoi ta kontrabandonte shtetin’.

“Pas votimit skandaloz në Kuvend që ndodhi të premten e kaluar, çdo ditë po dalin informata të reja që ia shtojnë skandalin këtij votimi dhe që e bëjnë edhe më të papranueshme votimin e së premtes me ç’rast pushteti tentoi ta kontrabandontet kapjen në maje të shtetit, në Presidencë”, tha Ymeri.

Ymeri tha se votat e deputetëve janë blerë dhe se kushtet që i ka vënë Lista Serbe i ka mundësuar Thacit të bëhet president.

“U pa që ky votim ka qenë i nxitur nga transaksione financiare e individuale të deputetëve por veçanërisht u pa se ky votim ka qenë i kushtëzuar edhe me koncesione shtesë karshi Serbisë përmes Listës Serbe e që po dalim për çdo ditë elemente të këtyre koncesioneve. Njëra prej këtyre elementeve është edhe zotimi për themelimin e një komune të re me shumicë serbe, Komunën e Prilluzhës”, tha Ymeri.

Ai shtoi se nëse themelohet kjo komunë e re me shumicë serbe, Serbia përmes Listës Serbe do të ketë fuqi vendimmarrëse edhe në resurset mineraret që janë në atë pjesë të Kosovë.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se komuna e Prelluzhës nuk do të lejohet të themelohet.

“Bashkësia e Komunave Serbe është e padrejtë dhe kjo po shihet me koncesionet e reja të arkitektit të kapjes së shtetit, me komunë e Prilluzhës. Kjo komunë është sulm direkt në qymyrin e Kosovës, siç ka ndodhur sulm më herët në Trepçë. Duhet ta dimë se Trepça dhe qymyri janë të Kosovës. Po ashtu, definimi i kufirit me Malin e Zi është i padrejtë dhe e cenon integritetin territorial të Kosovës. Për të mos e lejuar këtë, bashkohemi më 26 mars në orën 14:00”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i NISMA-s Fatmir Limaj tha se se ‘regjimi që e shkel kushtetutën nuk mund të vazhdojë qeverisjen e vendit’.

“Ky është regjim antikushtetues. Më 26 mars të gjithë do të jemi bashkë në shesh me prezencën tonë fizike dhe do të japin një porosi për regjimin. Zgjedhje të parakohshme në Kosovë do të ketë dhe ky regjim nuk do ta zërë vitin. Nuk ka mundësi që të njëjtin të qeverisin me vendin, sepse e kanë shkelur Kushtetutën”, tha Limaj.

Ata shtuan se do ta vazhdojnë protestën, sepse sipas tyre ngjarjet e kohëve të fundit vetëm sa shtojnë peshë, material që ky regjim diktatorial duhet të largohet.

[interaction id=”56d9bbcb4ab46a0103758224″]