Lideri i opozitës në Maqedoni, Hristijan Mickovski. Foto: MIA

Opozita maqedonase vë në rrezik referendumin e emrit

Partia opozitare VMRO DPMNE po zvarrit krijimin e një komisioni të ri zgjedhor, i ngarkuar të planifikojë të mbajë në vjeshtë referendumin historik.

Partia kryesore opozitare e Maqedonisë po vë në rrezik referendumin e planifikuar të mbahet në vjeshtë mbi marrëveshjen historike të emrit me Greqinë duke bllokuar emërimin e një komisioni të ri zgjedhor që supozohet ta përgatisë atë.

Njëmbëdhjetë ditë pas skadimit të afatit për të emëruar një Komision të ri Shtetëror Zgjedhor, DIK, nuk ka asnjë shenjë se grindja politike do të kapërcehet.

Nëse kjo nuk zgjidhet, është në rrezik mbajtja e referendumit të rëndësishëm në vjeshtë, çelësi për të zhbllokuar gjithashtu perspektivat për anëtarësim në NATO.

Pavarësisht thirrjeve nga shumica parlamentare për të nxituar, deputeti i VMRO DPMNE, Ilija Dimovski, i cili kryeson komisionin parlamentar për emërimet, ka refuzuar të fillojë procedurën për zgjedhjen e një DIK-u të ri.

Ndërsa Dimovski të hënën këmbënguli se nuk kishte asnjë kuptim në mbajtjen e një seance para se të gjitha partitë kryesore të kishin arritur një konsensus mbi kandidatët, partia e tij nuk ka zgjedhur ende kandidatët e saj dhe ka vendosur edhe kushte.

VMRO DPMNE ka thënë se do t’i bllokojë zgjedhjet derisa shumica në pushtet të pranojë të miratojë një ligj të ri mbi financimin e partive. Ajo gjithashtu kërkon që ligji mbi qeverinë të ndryshojë, të mandatohet formimin e një kabineti të gjerë koalicioni tre muaj përpara çdo zgjedhjeje për të siguruar që votimi është i drejtë.

Një qëllim kryesor i marrëveshjes historike me Greqinë, nënshkruar më 17 qershor, ishte të siguronte që Greqia t’i japë fund bllokadës së saj të gjatë mbi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia ra dakord të ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa Greqia do të heqë veton e saj.

Por, për të zbatuar plotësisht marrëveshjen, maqedonasit duhet të tregojnë se e mbështesin atë në një referendum që qeveria e udhëhequr nga socialdemokratët e Zoran Zaevit dëshiron të mbajë në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, në mënyrë që të ketë kohë për të miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese deri në fund të vitit.

Edhe nëse DIK-u i ri formohet së shpejti, do të jetë e vështirë që plebishiti të përgatitet siç ishte planifikuar. Me ligj, parlamenti, i cili do të përcaktojë zyrtarisht datën e referendumit, duhet ta bëjë këtë dy muaj përpara, duke lënë pak kohë në dispozicion.

Partitë qeveritare besojnë se opozita ka motive të tjera për pengimin e zgjedhjes së DIK-ut të ri.

Ata dyshojnë se opozita po përpiqet të negociojë një amnisti për të gjithë ata që akuzohen për përgjegjësi për sulmin e 27 prillit 2017 në parlament, i cili u udhëhoq nga anëtarë dhe simpatizantë të VMRO DPMNE.

“Ne druhemi se arsyeja e vërtetë për bllokadën është një amnisti për ngjarjet e 27 prillit, sidomos për ata që e organizuan atë dhe për ata që akuzohen në disa çështje të tjera gjyqësore,” u tha gazetarëve nënkryetarja e Social Demokratëve dhe ministrja e mbrojtjes Radmila Sekerinska

Lideri i opozitës Hristijan Mickovski kërkoi drejtpërdrejtë një amnisti për ngjarjet e 27 prillit në një tubim partiak të mbajtur në qytetin e Strumicës të dielën, duke këmbëngulur se prokuroria ishte e motivuar politikisht.

Sulmi i 27 prillit në parlament filloi pasi një shumicë prej 67 deputetësh në parlamentin me 120 vende zgjodhi një kryetar të ri, Talat Xhaferin. Kjo u pa si një hap i rëndësishëm drejt formimit të një qeverie të re të udhëhequr nga Social Demokratët, duke shënuar fundin e 11 viteve të pushtetit të VMRO DPMNE-së.

Rreth 100 vetë, përfshirë gazetarë, deputetë, si dhe kryeministri aktual, Zoran Zaev, u lënduan.

Pavarësisht nga pretendimet e VMRO DPMNE-së se dhuna ishte spontane, Prokuroria e Krimit të Organizuar në nëntor ngriti akuza për terrorizëm kundër më shumë se 20 vetëve, përfshirë gjashtë deputetë të VMRO DPMNE-së, ish-ministrin e brendshëm Mitko Cavkov dhe punonjës të tjerë shtetërorë ose organizatorë të protestës.