RTK, Prishtine. 21 maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Opozita Inicon Hetim për RTK, PDK e LDK nuk Përgjigjen

Lëvizja Vetëvendosje ka iniciuar formimin e një komisioni parlamentar për hetimin e transmetuesit publik (RTK), në një kohë kur akuzat e këtij subjekti politik ndaj këtij transmetuesi për “kapje nga pushteti” janë bërë të përditshme.

Inicimin e këtij komisioni e ka përmendur sot në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

“Kemi bërë kërkesë për krijimin e komisionit hetimor për RTK-në… PDK e LDK nuk kanë propozuar emra për këtë komision”, tha Haxhiu. Sipas saj, dy partitë opozitare AAK dhe NISMA janë pajtuar për këtë hetim dhe i kanë sjellë emrat e anëtarëve të komisionit.

Akuzat e Vetëvendosjes ndaj RTK-së kanë kulmuar disa javë më parë kur RTK e anuloi një intervistë të aranzhuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Që nga ajo ditë, Vetëvendosje vazhdimisht kërkon realizimin e kësaj interviste, madje edhe përmes protestave dhe konferencave të shtypit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë nuk e komentoi drejtpërdrejt kërkesën për hetim ndaj RTK-së kur u pyet për akuzat e Vetëvendosjes për “kapje të RTK-së”.

“Mediat duhet të jenë sa më të lira e më të pavarura, dhe mendoj që këtë janë duke e bërë. Nëse ka presion kjo është e papranueshme. Nuk është mirë që gazetarëve t’u sulmohen fëmijët e tyre me bomba, e nuk është mirë qe ata të kërcënohen,” tha Veseli duke iu referuar një sulmi me bombë muajin e kaluar ndaj shtëpisë së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, mentor Shala.