Komisioni parlamentar për Arsim Foto: KALLXO.com

Opozita: Haradinaj dhe Bytyqi të marrin mësim nga ndërhyrja e kaluar në AKA

Pas dështimit të Komisionit parlamentar për Arsim, i cili ishte thirrur për diskutimin e situatës së krijuar pas vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, deputetët e opozitës kërkuan sqarime të mbështetura në dëshmi rreth deklaratave akuzuese të qeveritarëve.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryetar i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi tha se kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi duhet të argumentojnë akuzat e tyre ndaj Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Ai këto deklarata i cilësoi si ndërhyrje politike, e që sipas tij, janë të pavenda dhe të dëmshme.

“Nëse dikush ka argumente se KShC ka marrë vendim të njëanshëm apo se nuk ka vepruar sipas procedurave, i ftojmë që ato t’i kontestojnë në gjykatë”, ka thënë Kurteshi.

Deputeti i PSD-së, Driton Çaushi deklaroi se Agjencioni i Kosovës për Akreditim, për herë të parë na ka dhënë shpresë se janë duke e kryer punën e tyre në mënyrë të pavarur.

Ai theksoi se deklaratat politike janë duke rrezikuar integrimin e AKA-së në Evropë.

“Pajtohem se kryeministri duhet ta sqarojë veten për ndërhyrjen brutale që i ka bërë këtij Këshilli me deklaratat e tilla”, theksoi deputeti.

Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se kryeministri dhe ministri është dashur të marrin mësim nga ndërhyrja e kaluar, e cila rezultoi me përjashtim nga ENQA dhe EQAR.

Ajo tha se duhet ta lëmë Këshillin që ta bëj punën e tyre, në mënyrë që të mos ankohemi më për sistemin arsimor.

“Nuk domethënë që mosakreditimi është mbyllje. Ftojmë rektorët që ta bëjnë punën e tyre dhe që vitin e ardhshëm ta marrin akreditimin. Ne e dënojmë ashpër ndërhyrjen e kryeministrit dhe ministrit të Arsimit”, tha Bunjaku-Rexhepi.

Edhe deputetja tjetër e LDK-së, Arbërie Nagavci theksoi se kryeminsitri duhet ta sqarojë se “ku i mbështetë deklaratat se KShC është bordi mafioz”.

“Duke e ditur se në shtator pritet vendimi i ri, ndikimet e tilla do ta dëmtojnë shumë procesin dhe kjo gjë mund të lë pasoja për studentët tanë që synojnë të kenë studime pasuniversitare në vendet e BE-së”, tha Nagavci.

Kjo mbledhje e Komisionit për Arsim, dështoi të mbahet si pasojë e mungesës së deputetëve.

KALLXO.com me 15 korrik kishte monitoruar mbledhjen e 74-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në të cilën u votuan rekomandimet e raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë të ENQA-s, sipas të cilave Universiteti i Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit, si dhe Kolegji Fama, Kolegji Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të ri për këtë vit akademik.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte reaguar pas raportimit të KALLXO.com se Këshilli Shtetëror i Cilësisë u ka tërhequr akreditimin institucional tri universiteteve publike, duke e cilësuar si vendim të papranueshëm.

Ndërkaq, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte kërkuar që çështja e mosakreditimit të universiteteve publike të adresohet në Qeveri.

https://kallxo.com/universitetet-e-pejes-prizrenit-dhe-mitrovices-nuk-mund-te-regjistrojne-studente-te-rinj/?fbclid=IwAR1M44pWEBOTQV4baSqo0ufZqGWMqh4IJY8VFy-YoCASKggyLa0yWXGYats