Opozita: Gazi Solli Vetëm Lotët
Sipas Bajram Ajetit nga Nisma, gjyqësori veproi në kundërshtim me kushtetutën kur mori masa ndaj deputetëve opozitarë për gazin lotsjellës në Kuvend.
“Ne jemi dëshmitarë që lidhur me gjithë këtë që ndodhi, duket se të gjitha këto veprime kanë rënë në kundërshtim edhe me kushtetutën, me ligjin për deputetët, por edhe rregulloren e punës,” tha Ajeti.
Nën dyshimet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend 13 deputetë opozitarë janë arrestuar dhe ndaj tyre janë shqiptuar masa të ndryshme sigurie, ndërsa aktakuzë është ngritur ndaj Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Faton Topallit e Donika Kadaj-Bujupit.
Muhamet Kelmendi, përfaqësues i AAK-së tha se në rastin e kësaj aktakuze duhet të ishte respektuar imuniteti i deputetëve.
“Sipas kodit penal, nuk mundet kurrsesi një opozitë e cila është zgjedhur me votat e popullit të futet në këtë grup kriminal dhe të akuzohet për vepër të rëndë penale ku dënimet janë minimum pesë vjet,” tha Kelmendi.
Kur Fatmir Limaj filloi të ndiqej penalisht e ishte deputet, Kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi kërkoi interpretim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me imunitetin e përfaqësuesve të popullit në Kuvend.
Më 20 shtator 2011 Gjykata Kushtetuese kishte vendosur se “nuk ekziston imunitet që pengon ndjekjen penale të deputetëve për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre”.
Edhe Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje kritikoi gjyqësorin për veprimet e tij ndaj deputetëve opozitarë.
“ Këtu shihet qartë shkelja e dy parimeve në gjyqësi, parimi i proporcionalitetit dhe parimi i diskriminimit. Sot ende askush nuk mund të thotë se për të njëjtën vepër mund të ndiqen dhe përndiqen edhe qytetarët, e sidomos deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës,” tha Kurteshi.
Opozita në konferencë paraqiti edhe një ekspertizë të llojit të gazit lotsjellës që u përdor në Kuvend.
“Gazi lotsjellës nga Spanja nuk ka kurrfarë pasoja as për shëndetin, as për trupin e njeriut, por vetëm ka mundur t’i sjellë lotët.” tha Bajram Ajeti nga Nisma.