Opozita Ende Pa Unitet për Seancën për Presidentin

Subjektet opozitare nuk janë ‘të një goje’ rreth pjesëmarrjes ose jo në seancën kur në Kuvendin e Kosovës do të votohet për presidentin e Republikës dhe rreth asaj se a do të propozojnë ndonjë kandidat për postin për të cilin partitë në pushtet po i bëjnë përgatitjet ta zgjedhin kreun e PDK-së, Hashim Thaçi.

Ndonëse në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) thonë se asnjëra parti opozitare nuk do të marrë pjesë në seancë dhe as nuk do të propozojë ndonjë kandidat, Nisma për Kosovën nuk është kaq e prerë, për dallim nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka paralajmëruar se do ta vazhdojë protestën në Kuvend me kërkesat të cilat janë bërë të ditura tash e disa muaj – tërheqja e marrëveshjeve dhe dorëheqja e Qeverisë.

Frashër Krasniqi, sekretar për media dhe komunikim i LVV-së, ka thënë për KALLXO.com se insistimi i opozitës për protestën e tyre në Kuvend bëhet edhe më i madh pasi sipas tij Gjykata Kushtetuese u ka dhënë të drejtë. Ai tha se deri në tërheqjen e marrëveshjeve dhe dorëheqjen e Qeverisë do të vazhdojë protesta në Kuvend.

“Opozita do të vazhdojë protestën e saj në Kuvend deri në tërheqjen e marrëveshjeve dhe dorëheqjen e Qeverisë. Insistimi ynë është edhe më i madh sidomos tash kur edhe Gjykata Kushtetuese na ka dhënë të drejtë, si dhe qytetarët kanë shprehur masivisht vullnetin e tyre kundër marrëveshjeve dhe kundër Qeverisë”, theksoi Krasniqi.

Sipas tij, është absurde që koalicioni qeverisës ta zgjedhë presidentin.

“Kjo qeveri duhet të japë dorëheqje. Koalicioni qeverisës nuk ka legjitimitet popullor dhe është absurde që ky koalicion ta zgjedhë një president. Nuk ka president që propozohet nga ky koalicion që mund ta përfaqësojë unitetin popullor”, shtoi Krasniqi.

Sipas zyrtarit të Vetëvendosjes, Mustafa dhe Thaçi e kanë shkelur Kushtetutën dhe duhet të japin dorëheqje e jo ta mendojnë postin e presidentit.

“Mustafa e Thaçi e kanë shkelur Kushtetutën dhe s’kanë mbështetje popullore. Ata duhet të japin dorëheqje e jo të mendojnë presidencën”, këmbëngul ai.

Lidhur me këtë temë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha për KALLXO.com se asnjëra nga partitë opozitare nuk do të marrë pjesë në seancën e mundshme për zgjedhjen e presidentit dhe konfirmoi se asnjëri subjekt nuk do të ketë kandidat për këtë post.

Ndërkaq, subjekti tjetër opozitar, Nisma për Kosovën, do të marrë vendim se a do të marrë pjesë në seancë atëherë kur të caktohet data për mbajtjen e saj.

Zafir Berisha, kryesues i Grupit Parlamentar të Nismës, tha për KALLXO.com se nuk beson që Hashim Thaçi do të zgjidhet president.

“Personi që po pretendon për president nuk është në përputhje me kërkesat kushtetuese që i ka vendi, andaj nuk besoj që do të zgjidhet”, tha Berisha.

Deputeti nga radhët e Nismës nuk u përgjigj nëse do të marrin pjesë në seancë, duke thënë se akoma nuk është caktuar një datë. Sipas tij, pasi të caktohet data atëherë do të bëhet publik qëndrimi i tyre.

“Ne ende nuk kemi vendosur sepse akoma nuk ka seancë të caktuar. Përflitet për data të caktuara por kur të vendoset atëherë do të bëjmë publike qëndrimet tona”, tha ai.

As Nisma as Vetëvendosje nuk kanë treguar nëse do të kenë ndonjë kandidat për postin e presidentit.

Zafir Berisha thotë se për këtë temë do të dalë opozita me një qëndrim të përbashkët dhe jo veç e veç si subjekte politike.