Opozita e Vendosur për Kundërshtim

Deputetja e këtij subjekti Aida Dërguti tha se zanafillën e dhunës duhet kërkuar te deklarata e zëvendëskryeministrit Thaçi pas protestës së 17 shkurtit.

“Megjithatë po e shohim këmbënguljen e kësaj qeverie antikushtetuese që të qëndrojë deri në fund, deri t’i përmbushë të gjitha pikat e marrëveshjes së koalicionit. Pavarësisht rrethanave, kjo qeveri këmbëngul në seanca deri në Thaçin kryetar,” tha Dërguti.

Më 17 shkurt Thaçi në një konferencë për shtyp ku doli me Kryeministrin Mustafa tha se “ata ikën me bisht nën shalë si qyqarë,” duke folur për protestën opozitare.

Dërguti tha më tej se sesioni pranveror në Kuvend vazhdoi me avazin e vjetër dhe përjashtimin e deputetëve opozitar nga seanca, “.. me tërheqjen zvarrë dhe largimin e deputetëve qe e bënë kuvendin jodemokratik”.

Ajo më pas tha se “Kjo qeveri që nuk e duron mendimin ndryshe i ka ditët e numëruara”.

Dërguti përdori shprehjen e njëjtë sikur ambasadori amerikan Delawie për gjendjen e krijuar.

“Kjo situatë është vërtet e neveritshme, por deputetët e opozitës janë të vendosur që ta përmirësojnë atë,” tha Dërguti.

E kur u pyet për deklaratat e ambasadorit dje, Dërguti tha se nuk e fajëson ambasadorin.

“Vlerësimi i tij është në rrafshin estetik, jo përmbajtjesor dhe për këtë nuk i vë faj, sepse nuk ka komunikim me opozitën për t’i kuptuar problemet nga një kënd tjetër. Ambasadorët e qeveritë janë me mandat, miqësia [ne Amerikën] është mes popujsh,” tha Dërguti.

Delawie dje mbështeti deputetët që qëndruan në sallë dhe policinë, ndërsa tha se “deputetët e opozitës që po hedhin gaz lotsjellës në Kuvend po i privojnë njerëzit nga e drejta për të jetuar të lirë”.

Ndërsa nënkryetari i “Vetëvendosjes”, Driton Çaushi e quajti dhunën e djeshme të shfrenuar.

“Jemi dëshmitarë të një dhune të shfrenuar dhe brutaliteti të paparë,” tha Çaushi.

Çaushi përmendi edhe emrat e deputetëve të arrestuar dhe shfaqi para mediave fotografi që tha se dëshmojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre.

aida VV

E për heqjen dorë të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj nga pozita e deputetit, ai tha se ende nuk janë takuar për të folur.

“Veprim i njohur dhe legjitim. Është akt i ndërgjegjes së tij. Ne e kemi kuptuar nga mediat dhe nuk kemi  pasur takim për të folur për këtë veprim dhe pasojat e mundshme,” tha Çaushi.

Aida Dërguti tha se opozita prapë do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit që u shty për të mërkurën.

“Ne do të jemi prezentë në Kuvend sa herë ka seancë, jemi në përmbushjen e punës sonë si deputetë”, tha Dërguti.

Dërguti tha se nëse paralajmërohet seanca për zgjedhjen e Thaçit President, opozita do të protestojë edhe para 27 shkurtit.

“Nëse ftohet seancë për presidentin, ne me urgjencë thirrim protestë edhe para kësaj date,” tha Dërguti. [interaction id=”56c896cab6c51fb6520138cf”]