Boris Tadiq, një nga liderët e opozitës në Serbi

Opozita e Serbisë ‘Duhet të Bashkohet ose të Përballet me Humbjen'

Partitë opozitare liberale të Serbisë duhet të lënë mënjanë grindjet e tyre dhe bashkohen që të kenë ndonjë shans për të konkurruar me Partinë Përparimtare në pushtet në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, thonë analistët.

Ata thonë se strategjia e vetme  e mundshme e zgjedhjeve që mund të ofrojë ndonjë sukses për partitë opozitare liberale të Serbisë është të krijojnë një koalicion që të mund të sfidojnë Partinë Përparimtare të kryeministrit Aleksandar Vuçiq.

Zoran Stojiljkoviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, tha për BIRN-in se partitë opozitare janë shumë të dobëta për të arritur diçka vetëm dhe se duhet të vihen në një front të bashkuar.

“E vetmja strategji e mundshme për partitë liberale pro-evropiane është për të bërë një koalicion. Kjo është alternativa e tyre vetëm në qoftë se ata duan të kundërshtojnë  dominimin e Vuçiq”, tha Stoiljkoviq.

Serbia do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale këtë pranverë, njoftoi Vuçiq pas një takimi të bordit drejtues të Partisë Përparimtare të dielën.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 24 prill, njoftoi të hënën gazeta me qendër në Beograd, Politika, duke cituar një zyrtar të lartë të paidentifikuar të Partisë Përparimtare.

Opozita ka deklaruar në javët e fundit se zgjedhjet janë të nevojshme për shkak se qeveria e udhëhequr nga Progresistët  e ka shkatërruar vendin.

Megjithatë, anketat e opinionit publik thonë se një votim i hershëm vetëm se do ta forcojë kontrollin e partisë në pushtet.

Një studim në tetor të vitit të kaluar nga Ipsos Strategic Marketing tha se Partia Përparimtare do të fitojë 45.8 për qind të votave në qoftë se zgjedhjet do të mbaheshin menjëherë – shumë më tepër se të gjithë të tjerët.

Partia Social Demokratike e udhëhequr nga ish-presidenti serb Boris Tadiç dhe Partia Liberal Demokratike e udhëhequr nga Çedomir Jovanoviq arritën një marrëveshje  me Lidhjen e Social Demokratëve të Vojvodinës të hënën.

Ata gjithashtu thanë se ata janë të gatshëm për të biseduar me ish-Partinë Demokratike në pushtet të martën në lidhje me një koalicion të madh opozitar.

Analisti politik Boshko Jakshiq, tha për BIRN se një opozitë e fortë është e nevojshme në një demokraci të brishtë si Serbia, por ai mendon se koalicioni i mundshëm i opozitës është “artificial”.

“Do të ishte shumë e rëndësishme për Serbinë të ketë një opozitë të fortë që do të kontrollojë punën e qeverisë”, tha Jakshiq.

“Megjithatë, ata njoftuan se  koalicioni i tyre do të jetë vetëm një armëpushim parazgjedhor pasi që ata kanë treguar një nivel të lartë të armiqësisë personale”, shtoi ai, duke iu referuar Partisë Demokratike të ndarë përpara zgjedhjeve në vitin 2012, kur lideri i vjetër Boris Tadiq e braktisi dhe themeloi  vetë Partinë Social Demokrate.

Pas ndarjes, ish-bashkëpunëtorët e partisë denoncuan njëri-tjetrin në media, duke fajësuar njëri-tjetrin për humbjen e pushtetit.

Disa anëtarë të tjerë të lartë të Partisë Demokratike kanë qenë gjithashtu të dëbuar ose vullnetarisht të larguar nga partia në mënyrë që të formojnë grupimet e tyre politike në dy javët e fundit.

Stoilkoviq tha se mendon se Vuçiq bëri një lëvizje të zgjuar taktike për të thirrur zgjedhje dy vjet para afatit të shfrytëzojë popullaritetin e tij aktual përpara reformave të dhimbshme.

Ky veprim gjithashtu i mohon opozitës kohë të mjaftueshme për të bërë një ndikim të rëndësishëm në opinionin publik.

“Kjo është me të vërtetë  lëvizje e zgjuar nga Vuçiq pasi që mbështetja e tij ndoshta do të jetë shumë më pak në vitin 2018, pas të gjitha masave të ashpra ekonomike. Gjithashtu, opozita nuk mund të bëjë asgjë të rëndësishme në vetëm tre muaj”, tha Stoilkoviq.

“Në opozitën që keni riciklohen politikanët. Ata kanë nevojë për kohë për t’u riorganizuar”, shtoi ai.

Në zgjedhjet e fundit, si Partia Demokratike Liberale ashtu edhe  Partia Social Demokrate luftuan për të siguruar vendet e tyre në parlament,  derisa partia e Jovanovic dështoi për të kaluar pragun prej  5 për qind dhe Tadiq vetëm sa e kaloi për pak këtë shifër.

Partia Demokratike e cila udhëhoqi qeverinë para se progresistët të vinin në pushtet në vitin 2012, fitoi vetëm 5.9 për qind të votave në vitin 2014.