Opozita e Maqedonisë Shqyrton Mundësinë e Rinisjes së Protestave

Pasi partitë në pushtet në Maqedoni zgjodhën të hënën njëanshëm një qeveri të re të përkohshme në Parlament, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme për më 24 prill, lideri i partisë opozitare LSDM (socialdemokrate), Zoran Zaev tha të martën se formacioni i tij ende nuk ka vendosur për përgjigjen.

“Sa i përket pjesëmarrjes (së ministrave nga opozita siç është paraparë me marrëveshjen e verës për zgjidhjen e krizës) në qeveri dhe për të gjitha lëvizjet tona të ardhshme, bordet dhe komitetet e partisë do të marrin vendime gjatë ditëve të ardhshme”, tha Zaev për mediat.

Zyrtarë të lartë të partisë kanë lënë të hapur mundësinë e organizimit të protestave të reja, aso çfarë janë mbajtur në gjysmën e parë të vitit të kaluar.

“Shihemi në barrikada”, ka shkruar në llogarinë e tij Tweeter zëvendëskryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski.

Mazhoranca aktuale në Parlament e miratoi të hënën dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski, votoi për shpërndarjen e Parlamentit dhe zgjodhi një qeveri të re të udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Emil Dimitriev, duke i hapur kështu rrugën mbajtjes së zgjedhjeve më 24 prill.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja, udhëheqësit e opozitës do të duhej të merrnin poste në kabinetin e përkohshëm, mirëpo për shkak të një bojkoti të paralajmëruar nga opozita, pjesëmarrja e ministrave të opozitës në qeveri mbetet e pasigurt .

Të dy ministrat e përkohshëm të caktuar nga radhët e opozitës, ministri i Brendshëm, Oliver Spasov dhe ajo e Punës, Frosina Remenski, nuk u deklaruan fare të martën.

Ata janë përfshirë në qeverinë e porsazgjedhur të hënën, por nuk ishin në Parlament për betimin zyrtar.

Sipas përmbajtjes së marrëveshjes për krizën, të arritur verën e kaluar, opozita duhet të ketë edhe tre zëvendësministra më shumë, pjesëmarrja e të cilëve tani është në pikëpyetje.

Ndërkohë, partia në pushtet informoi të martën se nëse ministrat e opozitës nuk i marrin postet e tyre, kryeministri i përkohshëm do të drejtojë edhe Ministrinë e Brendshme dhe atë të Punës.

Marko Trosanovski, udhëheqësi i Institutit për Demokraci, në “think tank”, tha se është i shqetësuar se ngjarjet e fundit mund ta zhytin Maqedoninë në një krizë edhe më të thellë politike dhe në jostabilitet.

“Shkuarja në zgjedhje në kohën kur nuk janë bërë disa reforma kyçe thënë më së buti është e papërgjegjshme. Ajo që po më brengos më së shumti është se BE-ja po e mbështet këtë vendim. Me zgjedhjet ne jemi duke e destabilizuar veten”, tha Trosanovski.

Ambasada britanike në Shkup tha se duhet bërë më shumë për të siguruar zgjedhje të besueshme, duke përfshirë pastrimin e listës zgjedhore, duke siguruar lirinë e medias dhe përfaqësim të barabartë të partive.

Ambasada tha se të gjitha partitë kryesore politike do të duhej të merrnin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në mënyrë që ato të jenë të suksesshme.

Opozita tha se do të pranonte zgjedhjet e parakohshme të prillit veç nëse do të kontrolloheshin listat e votuesve, pra nëse ato pastrohen nga votuesit e rremë, dhe nëse sigurohet liria e mediave.

Po ashtu, opozita ka thënë se shumica e reformave për të cilat është rënë ujdi në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja për t’i dhënë fund krizës politike në Maqedoni nuk janë zbatuar plotësisht ose vetëm janë adresuar formalisht, edhe pse afatet për t’i zbatuar kanë kaluar shumë kohë më parë.

Kriza në Maqedoni u përshkallëzua shkurtin e vitit të kaluar kur Zaev filloi me publikimin e përgjimeve, të cilat sipas tij tregonin se Gruevski qëndronte prapa përgjimit të paligjshëm të 20.000 qytetarëve, përfshirë edhe ministrat.

Zaev këmbëngul se incizimet përmbajnë prova inkriminuese kundër shumë zyrtarëve të lartë, duke përfshirë edhe dëshmi për korrupsion të nivelit të lartë, për kapjen nga Qeveria të gjyqësorit, prokurorisë, bizneseve dhe mediave, për arrestime me motive politike, shkelje në zgjedhje, e madje edhe një tentim për të mbuluar vrasjen e një njeriu nga një oficer policie.

Gruevski, i cili ka mbajtur pushtetin që nga viti 2006 , thotë se kasetat ishin “fabrikuar” nga shërbimet e huaja të inteligjencës dhe iu dhanë opozitës për të destabilizuar vendin.