Foto: BIRN

Opozita e Malit të Zi Kërkon Tërheqjen e Njohjes për Kosovën

Një nga liderët kryesorë opozitarë në Mal të Zi, Nebojsha Medojeviq, i bëri thirrje qeverisë ta mbrojë kufirin me Kosovën dhe ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës- pasi Kosova shtyu votimin e marrëveshjes për demarkacionin.

Lideri i Frontit Demokratik, me orientim pro-rus, tha të mërkurën se Mali i Zi duhet ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës “në mënyrë që t’i mbrojë interesat nacionale dhe dinjitetin e vendit”.

Reagimi i tij erdhi pasi qeveria e Isa Mustafës u mund të mërkurën meqë deputetët mbështetën mocionin e mosbesimit të opozitës ndaj saj.

Opozita në Kosovë ka kërkuar zgjedhje të reja tash e dy vjet, kryesisht për shkak të marrëveshjes kundërthënëse që qeveria e kishte nënshkruar në Bruksel në vitin 2015 për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, marrëveshje e cila nuk është votuar ende në parlament- dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Ky vendim i pritur i Kuvendit të Kosovës është dëshmia më e re e projektit për Shqipërinë e Madhe i fokusuar në pjesët e territorit të Malit të Zi dhe tregon se Kosova nuk e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial ë shtetit të Malit të Zi”, tha Medojeviq.

“Qeveria e Malit të Zi duhet ta tërheqë ambasadorin e saj në Prishtinë dhe ambasadori i Kosovës në Mal të Zi duhet të shpallet non grata”, shtoi ai.

Gfronti, i përbërë nga disa parti me qëndrime të ndryshme ndaj NATO-s dhe Rusisë, ka premtuar se nëse fiton në zgjedhjet e ardhshme, do t’i revokojë sanksionet e shpallura të Malit të Zi ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë dhe do ta revokojë njohjen e Kosovës.