Opozita: Ditë e Rëndësishme për Demokracinë

Vetëm një ditë para protestës së paralajmëruar për ditën e shtunë, opozitarët mbajtën një konferencë ku treguan se do të protestojnë për shkarkim të qeverisë dhe kundër marrëveshjeve për asociacionin dhe demarkacionin.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj këto dy marrëveshje i cilësoi të dëmshme, ndërsa tha se do të kërkohet përgjegjësi për qeveritarët që i quajti shkelës të kushtetutës. Kosovën .

“Do kërkojmë llogaridhënie dhe dorëheqje prej atyre që kanë shkelë kushtetutën,” tha Haradinaj.

Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje” Visar Ymeri ditën e nesërme e cilësoi shumë të rëndësishme.

“Nesër është një ditë e rëndësishme për demokracinë, ku do të ju bëhet me dije që Republika e Kosovës nuk mund të qeveriset nga njerëz të cilët me vendimet e veta dhe me marrëveshjet e veta tentuan ta përmbysin rendin kushtetues të vendit,“ tha Ymeri.

Kreu i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj tha se protesta e paralajmëruar për ditën e nesërme do të jetë për mbrojtjen e kushtetutës.

“Është moment ku zëri i qytetarit duhet të jetë i bashkuar dhe i fuqishëm dhe të mos lejohet një procedan i keq në Kosovë, që shkelësit e kushtetutës të vazhdojnë të qeverisin”, tha Limaj.

Ndërsa Frashër Krasniqi, zëdhënës i Lëvizjes “Vetëvendosje” tha për Kallxo.com se pas vendimit nga Gjykata Kushtetuese presin një numër më të madh të protestuesve.

“Kjo do t’i nxjerrë ne protestë edhe më shumë qytetarët për shkak se ata e kanë të qartë se qeveria që i drejton janë shkelës të kushtetutës në plot 23 nene të saj,” tha ai.

Gjykata Kushtetuese më 23 dhjetor konstatoi se parimet e marrëveshjes për asociacionin nuk janë plotësisht në pajtim me frymën e kushtetutës, por nuk e anuloi këtë marrëveshje.

http://kallxo.com/kushtetuesja-vendosi-per-asociacionin/

Opozita që nga gushti i vitit të kaluar po kërkon tërheqjen e nënshkrimeve të qeverisë nga marrëveshjet për asociacionin dhe demarkacionin të nënshkruara më 25 e 26 gusht në Bruksel e Vjenë.

http://kallxo.com/live-manifestimi-opozitar-i-28-nentorit/