Opozita Cakton Datën e Protestës

Më 17 Shkurt, Kosova feston përvjetorin e tetë të shpalljes së pavarësisë, mirëpo për liderët dhe mbështetësit e opozitës kjo do jetë ditë proteste.

Të mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, liderët e partive opozitare ftuan qytetarët e Kosovës që atë ditë të dalin të protestojnë, siç u shprehën, në mënyrë paqësore “në mbrojtje të Republikës”.

Por Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën u bëri thirrje “shkelësve të kushtetutës”, siç i quajti ai kryeministrin isa Mustafa dhe zëvendësin e tij, Hashim Thaçi, që të japin dorëheqje para datës së 17 shkurtit.

“Ne e shfrytëzojmë rastin që sot edhe njëherë shkelësve të kushtetutës, koalicionit qeveritar, t’i bëjmë thirrje të reflektojë që të jap dorëheqje para datës së 17 shkurtit, pa pas nevojë njerëzit të vijnë t’ia kërkojnë dorëheqjen”, tha Limaj.

Kësaj thirrjeje iu bashkua edhe Lideri I Vetëvendosjes Visar Ymeri i cili tha se qytetarët e Kosovës nuk kanë ndërmend ta tolerojnë një qeveri e cila, sipas tij, rrezikon rendin kushtetues  dhe “i krijon hapësirë Serbisë për ndërhyrje politike, ekonomike”.

“Kjo qeveri e ka një afat të vazhduar deri më 17 shkurt që ta kuptojë këtë gjë që të largohet nga këto marrëveshje dhe që të largohet nga pushteti i uzurpuar meqenëse aty po qëndron për t’ia mundësuar këto të këqija Kosovës dhe për ta shndërruar Kosovën në një vend që nuk është as republikë sovrane e as republikë e qytetarëve”, tha Ymeri.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se  17 shkurti do jetë një ditë e mirë për të dërguar porosinë dhe se ata të cilët janë betuar për shtet sovran kanë thyer betimin dhënë qytetarëve

“Është ditë me domethënie, në atë ditë në rast që ne pajtohemi që në Kosovë ka arsye me u protestu. Ajo ditë është e mirë për të çuar porosinë. Ato vendime që janë marrë dhe ata që janë në pushtet sot, dikur janë betuar për shtet me sovranitet ata e kanë thyer betimin e tyre dhënë qytetarëve dhe atë ditë duhet qytetarëve ti japin përgjigje” tha Haradinaj.