Opozita Cakton Datën e Protestës së Radhës

Në një takim të mbajtur sot, Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i NISMA-s thanë që do të vazhdojnë të punojnë si “opozitë e bashkuar” kundër qeverisë së Kosovës.

“Veprimet do t’i ndërmarrim si opozitë e bashkuar. Kjo egërsi e pushtetit është një prej shpërfaqjeve më të dukshme të humbjes së legjitimitetit të tyre. Ne sot kemi marr vendim që më 9 janar të organizojmë protestë gjithëpopullore”, tha Ymeri pas takimit që u mbajt në selinë e NISMA-s.

Fatmir Limaj, nikoqir i këtij takimi, ngjarjet e mbrëmshme me arrestimin e deputetëve i kujtuan atij vitet 1980.

“Atyre nuk po u mjafton burgosja por as burgosja, as shtypja e atij regjimi policor nuk na ndalin. Kërkojmë anulimin e marrëveshjeve dhe kthimin e normalitetit”, tha Limaj.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se qeveria e Kosovës e sheh policinë si të vetmen shpresë për ta kthyer normalitetin në vend.

“Ata kanë zgjedh me i burgosë të zgjedhurit e popullit. Ata kanë vendosë ta sakrifikojnë policinë, gjyqësorin e prokurorinë”, tha Haradinaj.

“Dje u pa që pushteti ka zgjedhë vetëm një rrugë- atë të policisë, e shpresën e kanë te ta që me kthy normalitetin në vend “, u shpreh ai.