Opozita Anulon Protestën

Protesta e paralajmëruar për nesër nga partitë opozitare është anuluar.

Në një konferencë e cila pasoi një takim joformal mes liderëve të Vetëvendosjes, AAK-së dhe NISMA-s në një lokal në qendër të Prishtinës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj bëri të ditur se protesta do të shtyhet për një afat të pacaktuar.

“Duke e ditur që Kosovën vërtetë po e presin ditë të rënda e të vështira. Kapja e shtetit është thellu dhe problemet që kanë shkaktu marrëveshjet e gabuara vetëm sa po e rëndojnë Kosovën, ne të vendosur që t’i kundërshtojmë këto marrëveshje, kemi vendosur që protestën e paralajmëruar për nesër ta shtyjmë për një ditë tjetër”, tha Haradinaj.

Ndërsa kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, tha se kauza e opozitës do të vazhdojë, pavarësisht shtyrjes së protestës e cila ka qenë duke u përgatitur tash e një muaj.

“Ne do ta vazhdojmë protestën tonë, do ta vazhdojmë kauzën tonë për të cilën qytetarët janë të njoftuar deri në realizimin e objektivave si opozitë e bashkuar”, tha Limaj.

Ndërsa lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, edhe pse ishte i pranishëm në konferencë për media në sheshin “Skënderbeu”, nuk foli fare para gazetarëve.