Gjykimi i te akuzuarve per kontrabandim te naftes

Operohet i akuzuari, dështon seanca në rastin e shënjestruar për liberalizimin e vizave

Mungon i akuzuari shtyhet gjykimi ndaj të pandehurve për transport të naftës nga Serbia

Mungesa e të pandehurit Shkëlqim Jusaj ka qenë arsyeja e shtyrjes së gjykimi ndaj të akuzuarve për kontrabandimin e 52 ngarkesave të derivateve të naftës nga Serbia në Kosovë.

Përmes një raporti të specializuar të “ Eye Hospital “ të datës 27 tetor, të cilën avokati Florim Lata ia ka dorëzuar trupit gjykues me kryetar Beqir Halili dhe anëtarët Burim Ademi e Avni Mehmeti, ka njoftuar se i pandehuri Shkëlqim Jusaj ishte operuar.

Meqenëse nuk ishte prezent i akuzuari Jusaj nuk u plotësuan kushtet ligjore që të mbahet ky shqyrtim gjyqësor.

I pranishëm në seancë ishte prokurori special Atdhe Dema si dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë së bashku me mbrojtësit e tyre.

Ky është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave që gjendet në gGjykatën e Mitrovicës, kurse për shkak të mungesës se të akuzuarit Shkëlqim Jusaj ishte shtyer edhe seanca e cila ishte paraparë të mbahej me 13 prill të këtij viti.

 

https://kallxo.com/shtyhet-serish-gjykimi-i-shenjestruar-per-liberalizimin-e-vizave/

 

Seanca e sotme si dhe dy seancat e tjera të caktuar për datat 31 tetor dhe 1 nëntor u shtyen.

Ndërsa gjykimi ndaj këtyre të akuzuarve pritet të vazhdoj  me 11, 12, 13 dhjetor në objektin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Ndryshe Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin së bashku me të pandehurit Milan Radisavleviq dhe Aleksandër Rakiçeviq se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Sipas Prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara, si derivate të naftës, vajra motorike etj.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershor-dhjetor 2014, të njëjtit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.

Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit të tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Po ashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale: Kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Gjithashtu, gjatë kontrollimit të shtëpive të të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.

Me këtë këta të akuzuar kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.