Foto: REL/Shutterstock

Operatori nuk mund të furnizojë më QKUK-në me ilaqin që përdoret edhe për të sëmurët kancer

Ka më shumë se dy muaj që në Klinikën e Reumatologjisë dhe atë të Onkologjisë në QKUK ka mungesë të barit ibandronat që përdoret për trajtimin e sëmundjeve të eshtrave.

KALLXO.com ka raportuar dy javë më herët për këtë mungesë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë është deklaruar se shumë shpejtë do të rregullohet situata.

Ndërkohë KALLXO.com merr vesh se operatori ekonomik i është drejtuar Ministrisë duke sqaruar se ai më nuk mund të furnizojë QKUK-në me barin në fjalë.

“Pas deklarimeve të operatorit ekonomik se nuk mund ta përmbush kontratën dhe t’i liferojë ShSKUK-së produktin Ibandronat (Koncentrim per sol për infuzion 6mg), sipas kontratës, Ministria e Shëndetësisë në kontakt edhe me ShSKUK po i shqyrtojnë të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje ligjore, duke konsultuar edhe organet e prokurimit publik në Kosovë për të siguruar ilaçin, gjithnjë brenda kuadrit ligjor”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

I kontaktuar nga KALLXO.com Lirim Mustafa nga “Liri – Med” SH.P.K. tha se tashmë i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa nuk u përgjigj në pyetjet tona shtesë.

Nga ana tjetër QKUK thotë se ka njoftuar MSh-në dhe organet e tjera kompetente për këtë rast.

“Lidhur me produktin Ibandronat, kontrata ishte lidhur nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ende operatori ekonomik nuk e ka sjellë produktin në fjalë. Sektori i prokurimit ka ndjekur veprimet ligjore, duke njoftuar MSh që ka lidhur kontratën, në të njëjtën kohë, ka konsultuar OShP dhe KRrPP” thotë QKUK.

Ky bar kushton prej 40 deri në 60 euro varësisht nga sasia e tij, ndërsa qytetarët po detyrohen ta sigurojnë vet në mënyrë që të aplikojnë terapinë e domosdoshme.

Punëtorët e Klinikës së Reumatologjisë janë deklaruar se e kanë shumë të vështirë të kthejnë prapa pacientët.

Në QKUK mungojnë barnat e kushtueshme për eshtra

.