Open Data Kosovo: Kuvendi i Kosovës është institucioni më transparent në vend

 

Open Data Kosovo ka organizuar takimin bilateral ndërmjet zyrtarëve publik të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nga Komunat, Qeveria, Gjyqësori dhe Parlamenti  ku u prezantuan ‘’Udhërrëfyesi për qeverisje të mirë për institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës’’.

Blerina Ramaj nga Open Data Kosovo tha se sipas analizën që kanë bërë, Kuvendi i Kosovës është institucioni më llogaridhënës në Kosovë duke vazhduar më pas me Qeverinë, e indikatori i vetëm që ende mbetet sfidë është transparenca buxhetore.

“Ne kemi bërë një udhërrëfyes për të treguar se cilat janë institucionet më transparente në Kosovë, si institucioni më transparent është Kuvendi pastaj Qeveria duke vazhduar me  Gjykatat, Prokurorinë dhe në fund komunat. Shumica prej institucioneve publikojnë vetëm buxhetin që i ndahet dhe jo shpenzimet e që i bëjnë ata duke i bërë ata jo më transparent për qytetarët sepse duhet të dinë se ku po shkon buxheti i shtetit që paguhet nga taksat e tyre. Transparenca matet në mes të tre komponentëve: informacioni organizativ, prokurimi publik dhe transparenca buxhetore, e këta indikatorë janë shënuar nga Kosova vetëm për 29 për qind, duke e renditur të fundit në Rajon”, tha Ramaj.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zenun Pajaziti tha se institucionet duhet të jenë transparente në mënyrë që të japin llogari për taksapaguesit e vet.

“Kuvendi i Kosovës ka arritur të ketë transparencë në të gjitha aspektet, tashmë e dini se Kuvendi nuk ka asnjë dokument që e bën atë transparent, të gjitha institucionet duhet të jenë transparentë që në një formë të respektojnë votuesin dhe taksapaguesit e Kosovës”, tha Pajaziti.

Kurse Aldo Merkoci nga Lëvizja Mjaft tha se në Shqipëri  institucioni më transparent është parlamenti.

Merkoci po ashtu shtoi se informacionet buxhetore mbeten si informata të padijshme për qytetarët atje për shkak se nuk publikohen me kohë në mënyrë që të ketë diskutime.

“Sa i përket Shqipërisë performancën më të mirë e ka pasur parlamenti me 75 për qind. Shqipëria është i vetmi vend në Rajon që nuk ka një ligj për lobimin, po ashtu ajo që kemi vënë re nga ekzekutivi është publikimi i hargjimeve buxhetore, ato informata duhet të publikohen paraprakisht tre muaj në mënyrë që të diskutohet nga parlamenti dhe nga grupet e ndryshme të interesit”, tha Merkoci.