Olters: Kosova nuk Duhet të Humbë Shumë Kohë

Në fundin e mandatit të tij drejtori i Bankës Botërore në Kosovë, Jan-Peter Olters dha porositë e tij për Kosovën.

Në shënimin e fundin të detyrës së Drejtorit të, Zyra e Bankës Botërore në Kosovë mbajti konferencën me titull “Të ndërtohen ura drejt një të ardhme të begatshme”.

Zotëri Olters tha se largimi i tij vjen në një kohë kur Kosova ka një rritje të qëndrueshme simbolike dhe me një ritëm premtues.

“Viti 2016 duhet të jetë viti i dialogut ndërmjet pozitës dhe opozitës, si dialog i prioriteteve të zhvillimit ekonomik,” porositi Olters.

Ai përmendi se Kosovën e presin shumë sfida dhe ajo nuk është në gjendje që të humbë më shumë kohë.

Bedri Hamza, guvernator i BQK-së tha se MSA-ja do të jetë një udhërrëfyes për integrim dhe për zhvillim ekonomik.

“Kosova është duke bërë hapa të rëndësishëm në mjedisin socio-ekonomik, sistemin bankar dhe atë ligjor, por prapë mbetet sfidë shkalla e lartë e papunësisë dhe deficiti tregtar. Qasja e privilegjuar për tregti me BE-në është përparësi dhe duhet të përfitojmë nga kjo dhe se dyert e tregjeve për eksporte mund të na i hapë edhe diaspora jonë,” deklaroi Hamza.

Elen Goldstein, drejtoresha vendore e Bankës Botërore, tha se Kosova duhet ta vazhdojë disiplinën financiare, zhvillimin e sektorit privat, pjesëmarrje në tregun e punës veçanërisht të femrave dhe në mbrojtjen e mjedisit.

Shpend Ahmeti, kryetari i Prishtinës tha se shumë po debatohet për politika zhvillimore dhe se këto diskutime nuk po merren parasysh nga politika, ndërsa sipas tij mungon adresimi i duhur.

“Zëvendësimi i importeve dhe shfrytëzimi i resurseve ekzistuese, kalimi nga subvencionet në grante dhe krijimi i vendeve të punës outsourcing duhet të jetë fokusi në rritjen ekonomike,” potencoi Ahmeti.

Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës tha se po mungon bashkërendimi i prioriteteve ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.

Ajo porositi për ndërtimin e një sistemi më të qëndrueshëm dhe të mos trashëgohen problemet e ndërtimit të institucioneve.

Drejtori i Bankës Botërore në Kosovë sot e ka kryer mandatin e tij katërvjeçar.