Njësi radari që depërton në tokë. Foto: Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës.

OKB-ja ofron radarë për kërkimin e varreve të luftës në Kosovë e Serbi

Një ekip ekspertësh të Kombeve të Bashkuara regjistroi të dhëna duke përdorur një radar që depërton në tokë në një përpjekje për të zbuluar praninë e eshtrave njerëzore në varre të mundshme masive të kohës së luftës në pesë lokacione në Kosovë dhe Serbi.

Ky ekip përdori muajin e kaluar radar që depërton në tokë në një kërkim pesë ditor për varre masive të mundshme të kohës së luftës në tri lokacione në Kosovë – në fshatin Bukosh në komunën e Suharekës, fshatin Uglar në komunën e Gjilanit dhe në komunën e Graçanicës.

Në Serbinë jugore, dy kërkime të mëtejshme u kryen në Kisevak dhe Jaloviste afër Rudnicës.

Regjistrimet e të dhënave iu dërguan një eksperti në Argjentinë për analiza të mëtejshme përpara se të merret vendimi nëse do të vazhdohet apo jo me kërkime të mëtejshme.

Përfundimet do t’i ofrohen Kosovës dhe Serbisë në muajt e ardhshëm përmes një Komiteti Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, mekanizëm i kryesuar nga KNKK-ja i Grupit të Punës për Personat e Zhdukur.

Fabien Bourdier, kryetar i Grupit të Punës të KNKK-së për Personat e Zhdukur, i cili lehtëson komunikimin mes Serbisë dhe Kosovës, shpjegoi se radari me penetrim në tokë mund të zbulojë trupa të varrosur.

“Kjo pajisje përdoret zakonisht për të parë brenda materialeve dhe strukturave të ndryshme në aplikime të shumta, përfshirë veçoritë e tokës nën sipërfaqen e saj, të cilat mund të ndihmojnë në gjetjen e vendeve të varreve,” tha Bourdier për BIRN.

Arsim Gërxhaliu, kryetari i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, i cili është pjesë e grupit të punës të personave të zhdukur të Kosovës, tha se regjistrimet e të dhënave janë bërë në terren të vështirë.

“Ky radar mund të zbulojë praninë e eshtrave në thellësi deri në 12 metra,” tha Gërxhaliu për BIRN.

Gërxhaliu shpjegoi se në pesë lokacionet ishin mbuluar mijëra metra tokë.

“Nëse rezultatet na tregojnë se ka eshtra njerëzish ose varre masive, kjo do të na ndihmojë po aq shumë për të kërkuar më shpejt dhe për të identifikuar njerëzit e zhdukur,” tha ai.

Një total prej 1,648 njerëzish janë ende të listuar si të zhdukur nga lufta në Kosovë, 561 prej të cilëve janë jo-shqiptarë.

Disa nga vendet ku ekipi i OKB-së përdori radarin, si Kisevaku, janë gërmuar disa herë dhe janë gjetur eshtrat e disa personave.

Prenke Gjetaj, kryetar i Komisionit të Personave të Zhdukur të Qeverisë së Kosovës, tha se nëse kjo metodë do të rezultojë efikase, ajo mund të përdoret përsëri në kërkime të tjera për personat e zhdukur.

“Këto të dhëna do të shërbejnë si një test i parë për të parë nëse kjo metodë është e dobishme. Po presim rezultate, duke besuar se kjo do të na ndihmojë të paktën për të verifikuar nëse informacionet që morëm për varre masive janë të sakta,” tha Gjetaj për BIRN.

Ai tha se vitet e fundit niveli i informacioneve të marra në lidhje me varret masive ose individuale nga lufta ka rënë ndjeshëm.

Këtë vit në Kosovë është gërmuar vetëm një lokacion në qytetin e Gjakovës, ku u gjetën eshtrat e katër personave.

Deri në fund të luftës në Kosovë në vitin 1999, KNKK regjistroi më shumë se 6,000 njerëz nga të gjitha komunitetet etnike si të zhdukur. Që nga ajo kohë janë gjetur më shumë se 4,400 eshtra njerëzish.

Në fund të mandatit të tij, EULEX tha se po i dorëzonte autoriteteve të Kosovës rreth 2,000 dosje të personave të zhdukur të klasifikuara si krime lufte.