Foto nga: Atdhe Mulla

OKB Dështon t’i Kompensojë Romët e Helmuar në Kosovë

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se organi është “shumë i vetëdijshëm” për gjendjen e vështirë të romëve të Kosovës që vuajtën helmimet nën administrimin e OKB-së si pasojë e drejtpërdrejtë e zhvendosjes së detyruar e të brendshme të njerëzve (IDP) në kampet në veri të Kosovës.

Zëdhënësi Stephane Dujarric shtoi se ai dëshiron “të shprehë keqardhjen e thellë të organizatës për vuajtjet e përjetuara nga të gjithë individët që jetojnë në kampet e IDP-së.”

Vitin e kaluar, një panel këshillimor i OKB-së i formuar për të shqyrtuar ankesat e bëra kundër Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), i bëri thirrje OKB-së të mbajë përgjegjës UNMIK-un që lejoi familjet rome t’i ekspozoheshin helmimit nga plumbi në kampet për personat e zhvendosur nga lufta e Kosovës në vitin 1998 dhe 1999.

Kampet IDP u krijuan në afërsi të kompleksit të minierave dhe shkritores së Trepçës, që njihet si shkaktar i kontaminimit nga plumbi dhe i formave të tjera të toksinave në zonat rreth saj që nga vitet 1970.

Kampet, të cilat kishin për qëllim të ofrojnë vetëm strehim të përkohshëm deri në 90 ditë, vepruan për disa vjet.

Paneli i kërkoi UNMIK-ut të pranonte publikisht dështimin e tij për të përmbushur standardet relevante të të drejtave të njeriut në përgjigje të gjendjes së keqe shëndetësore të shkaktuar nga ndotja e plumbit në kampet IDP dhe të kompensonte viktimat për dëmin material dhe moral.

Megjithatë, OKB vendosi për krijimin e një “Fond Mirëbesimi”, i cili do të lehtësojë iniciativat bazë të komunitetit për të financuar “projektet e ndihmës”. Këto kryesisht pritet të ndodhin në Mitrovicën e Veriut, Mitrovicën Jugore dhe Leposaviq, por sipas OKB-së, do të përfitojnë më gjerësisht komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

“Projektet e asistencës do të përqendrohen në nevojat më urgjente të këtyre komuniteteve më të prekshme, duke përfshirë shërbimet shëndetësore, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturën”, thuhet në deklaratën e Dujarric.

http://kallxo.com/fond-kombeve-te-bashkuara-per-rome-ashkalinj-e-egjiptas/

Kjo lëvizje u kritikua nga organizatat e të drejtave të njeriut. Ato kritikuan themelimin e Fondi të Mirëbesimit pa fonde, në vend që të kompensonte individualisht viktimat e neglizhencës së vet. Human Rights Watch (HRW) tha se OKB është “duke i shitur viktimat e helmimit nga plumbi në kampet e saj në Kosovë”.

“Zhvleftësimi i përgjegjësisë për vuajtjen e viktimave të helmimit nga plumbi, shërben vetëm për të nënvleftësuar përpjekjet për të bërë OKB-në më të përgjegjshme për dështimet e veta. Dhe nga ana tjetër refuzimi për të marrë përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar nga OKB minon aftësinë e organizatës për të shtypur qeveritë dhe të tjerët për të korrigjuar abuzimet e tyre me të drejtat e njeriut”, tha Louis Charbonneau, drejtor i OKB-së në HRW.

Që nga nëntori i vitit 2007, paneli ka shqyrtuar më shumë se 500 ankesa në kontekstin e misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara. Në disa raste, paneli arriti në përfundimin se kishte pasur dështime në respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut. Paneli përfundoi punën e tij në rastin e Kosovës dhe më pas dha një raport përfundimtar në korrik të vitit 2016.

Në raportin përfundimtar të panelit thuhet se megjithëse UNMIK-u kishte porositur një raport në vitin 2000, i cili gjeti nivele jashtëzakonisht të larta të plumbit në gjakun e njerëzve që jetonin në kampet IDP, nuk e bënte publik raportin dhe nuk arriti të merrte masa të mjaftueshme për të adresuar rreziqet e ekspozimit ndaj plumbit në kampe.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi gjithashtu për efektet kronike të pakthyeshme të plumbit në trupin e njeriut në vitin 2004, duke i kërkuar UNMIK-ut që menjëherë të evakuojë fëmijët dhe gratë shtatzëna nga kampet. UNMIK-u nuk ka ofruar asnjë dokument që tregon se cilat veprime specifike janë ndërmarrë si përgjigje ndaj këtyre gjetjeve dhe rekomandimeve.

Romët e Helmuar në Kosovë Presin Drejtësinë nga OKB

Helmimi u dokumentua më tej në vitin 2009 nga HRW, i cili u kërkoi autoriteteve të Kosovës që të punonin me donatorë ndërkombëtarë pa u vonuar për të mbyllur kampet e ndotura me plumb ku ishin vendosur romët e zhvendosur, të zhvendosin banorët e tyre dhe të ofrojnë trajtim mjekësor për helmimin nga plumbi.

UNMIK-u u krijua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në vitin 1999 “për të ndihmuar në sigurimin e kushteve për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës dhe për të çuar përpara stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor”, sipas mandatit të saj.

http://kallxo.com/sipas-nje-hetimi-unmik-shkeli-te-drejtat-e-njeriut/