Pamje nga tryeza e sotme e Javës Kundër Korrupsionit - Foto: KALLXO.com

OJQ-të Kritikojnë Punën e Prokurorisë në Luftimin e Korrupsionit

Në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka prezantuar raportin e monitorimit të rasteve të korrupsionit në muajt korrik, gusht e shtator 2016, me ç’rast është kritikuar mjaft shumë puna e prokurorisë.

Gjatë kësaj tryeze, ndërkaq, prokurorët kanë kritikuar raportimet e mediave për punën e tyre.

Reshat Millaku, kryeprokuror i PSRK-së, gjatë diskutimit përmendi disa raste të cilat sipas tij janë kryer me prioritet nga ana e prokurorisë dhe gjykatave.

Arsyeja që përmendi këto raste, sipas tij, është për t’ua dëshmuar mediave që sistemi i drejtësisë është duke punuar siç duhet dhe se mediat po shkruajnë për ta duke mos u bazuar në fakte të vërteta por nga gojëdhënat.

“Në disa televizione, gazeta e disa analistë të gjithëdijshëm qoftë në natyrën për politikë, ekonomi, juridik gjinden fjalët më të këqija sa i përket prokurorisë, gjykatave, policisë, si prokurori të korruptuara, të kapura nga shteti… Por, këto fakte dëshmojnë që ne as nuk jemi të korruptuar, as të kapur nga shteti dhe se ekziston guximi profesional që t’i qasemi të gjithave rasteve”, tha Millaku.

Por, këto deklarata të kryeprokurorit bien ndesh me realitetin në terren. Pikërisht dje UNDP në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) ndanë çmime për mediat për raportet e tyre për rastet e korrupsionit.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë“ u shpërblye me çmimin për Gazetari Kundër Korrupsionit për storjen “Dreka e Gabuar”, ku tregohet se si prokurori i rastit drekoi me të akuzuarin. Një muaj pas transmetimit të rastit, prokurori në fjalë ofroi dorëheqjen, e cila u pranua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

http://kallxo.com/drejtesia-ne-kosove-shperblehet-me-cmim-kunder-korrupsionit/

Po ashtu, në tryezën e sotme, edhe Artan Demhasaj nga organizata “Çohu” ka kritikuar punën e Prokurorisë së Shtetit dhe tha se në Kosovë është një nivel mjaft i lartë i korrupsionit.

Sipas tij, prokurorët po ndërtojnë akuza shumë të rënda dhe se prova po sjellin shumë pak. “Rastet po i dërgojnë në dështim, ku gjyqtarët po detyrohen ta mbyllin rastin dhe të shpallin të akuzuarin të pafajshëm për arsye se prokurorët po dështojnë në bindjen e gjyqtarit me prova se ai është fajtor me gjitha këto akuza që prokurori i ka ngritur”, tha Demhasaj.

Raporti që u prezantua është bërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili përfshin periudhën tremuajshe korrik, gusht e shtator 2016, gjatë të cilës hulumtuesit e KDI-së kanë monitoruar 260 seanca gjyqësore, përfshirë 191 raste të korrupsionit me 618 persona.

Java Kundër Korrupsionit do të zgjatë deri më 9 dhjetor.

KALLXO.com raportoi për takimet e djeshme të organizuara në kuadër të kësaj jave.

Redaktoi: Naser Sertolli