Ohri rrezikon përjashtimin nga UNESCO

UNESCO i jep edhe 8 muaj afat Ohrit që të zgjidhë çështjet e 400 ndërtimeve pa leje që janë ndërtuar në zona të ndaluara.

Në të kundërtën, Ohri do të gjendet në listën e zonave të rrezikuara nën mbrojtje të UNESCO-s. TV21 pyeti zv-ministrin e Punëve të Jashtme Andrej Zhernovskin se a do të mundet që Qeveria ta luftojë mafinë urbane për vetëm 8 muaj sa kanë mbetur.

Në përgjigjen e tij, Zhernovski tha se “optimizmin e thithi nga deklaratat dhe besoj se kjo do të ndodhë.

E di se kjo betejë nuk është e lehtë, kam qenë kryetarë komune dhe e di se bëhet fjalë për shumë interesa, megjithatë pikërisht për këtë ekziston afat që ta bindim UNESCO-n dhe botën që me të vërtetë kemi dëshirë të njëjtë, pa marrë parasysh se kujt i përkasin ato ndërtime pa leje, kush qëndron pas tyre”.

Shtyrjen e afatit, kryetari i Komunës së Ohrit, Konstantin Georgievski e pranoi me pozitivitet, me çka edhe e shpërndau në Facebook, përmes një statusi.

“Ky sukses është rezultat i realizimit të rekomandimeve të misionit monitorues të UNESCO-s nga viti 2017 dhe kontributit tonë”, shkroi ai. Por, aktivistët ekologjik të “OHRID SOS” kritikuan qeverinë.

Thonë se pikërisht autoritetet janë ato që kanë dhënë leje për ato ndërtime. Sipas tyre,  problemi që nuk është zgjidh për dy vjet, nuk mund të zgjidhet as për 8 muaj.

“Duhet të zgjidhen dy çështje në muaj. Për dy vjet vetëm janë regjistruar ndërtimet pa leje. Procesi nuk është vetëm të merren vendime me ngritjen e dorës. Ka edhe punë në terren. Do të duhet disa objekte të rrënohen. Por para kësaj, të gjithë ata që kanë dhënë leje për ndërtime në pjesë ku nuk lejohet, duhet të japin llogari. Shembni ndërtimet e mija dhe të afërmve të mi, por edhe ato që u përkasin juve, të afërmve, shokëve, familjarëve të Qeverisë”, thonë nga iniciativa qytetare “Odrid Sos”.

Në seancën e 43-të Komitetit për trashëgimi botërore, që u mbajt në Baku të Azerbajxhanit, u dha afat deri më 20 shkurt, që Ohri të përmbush kërkesat, që janë parashtruar që nga viti 2017. Organet këshillëdhënëse të UNESCO-s numëruan shkaqet të cilat e rrezikojnë Ohrin.

Ndërkaq nga atje thanë se duhet bashkëpunim ndërmjet institucioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“A po i shihni shënimet se ende janë të pranishme një sërë çështjesh shqetësuese, siç janë presioni i turizmit, zhvillimet e paligjshme dhe të papërshtatshme ligjore, shkatërrimi i natyrës, peshkimi i tepërt, prerjet e pyjeve si dhe kontaminimi i ujit. Sidoqoftë është i rëndësishëm kooperimi ndërmjet shumë institucioneve të cilat merren me trashëgimitë kulturore dhe natyrore, nga të dyja anët. Prej Shqipërisë dhe shtetit fqinj të saj, Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Organizata Ndërkombëtare për Ruajtjen e Natyrës.

Misioni Reaktiv i UNESCO-s në vitin 2017, pas inspektimit të rajonit të Ohrit, dha 19 kërkesa, nga të cilat vetëm tre janë përmbushur plotësisht.

Ohri është nën mbrojtje të UNESCO-s qe 40 vjet si trashëgimi kulturore dhe natyrore. Në shkurt të vitit të ardhshëm, UNESCO do të shqyrtojë raportin e ri në seancën e ardhshëm të 44-të me radhë dhe do të vendosë mbi statusin e mëtejshëm të qytetit./TV21