Oda e Farmacistëve të Kosovës pranohet në Grupin e Farmacistëve të Bashkimit Europian

Oda e Farmacistëve të Kosovës edhe zyrtarisht sot ka marrë lajmin se është pranuar në Grupin e Farmacistëve të Bashkimit Europian, PGEU.

“Oda e Farmacistëve të Kosovës kishte përmbushur dhe përfunduar muaj më parë të gjitha procedurat e nevojshme për t’u pranuar në këtë organizatë të rëndësishme, por për shkak të afateve të vet organizatës lajmërimi ka ardhur sot”, thuhet në njoftim.

Në Asamblenë e përgjithshme të PGEU-s është vendosur që me shumicë votash edhe Oda e Farmacistëve të Kosovës të pranohet në familjen e këtij grupi profesional.

“Pas lajmërimit për pranim, OFK ka marrë menjëherë ftesën që të jetë prezente qysh në takimin e shtatorit i cili do të mbahet në Parlamentin Europian në Bruksel”, thuhet në njoftim.

Sipas Odës, pas pranimit në Federatën Ndërkombëtare të Farmacisë – FIP, tani edhe me anëtarësimin në PGEU, OFK vazhdon rrugëtimin e vet për ndërkombëtarizimin e farmacisë së Kosovës, duke pasur synimin kryesor që të avancojë edhe me zhvillimin e praktikës profesionale të farmacisë dhe afrimin e profesionit të farmacisë në Kosovë me atë europian dhe botëror.