Oda e avokatëve pezullon përkohësisht bojkotin në gjykata

Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot në mënyrë unanime ka marrë vendim që të pezulloj përkohësisht bojkotin i cili ka filluar me pesë janar.

Kjo ka ndodhur pasi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka  shfuqizuar rekomandimin e datës 28 dhjetor dhe Urdhëresave të tjera në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Ky pezullim do të zgjasë për periudhën kohore prej 30 ditësh brenda të cilës periudhë kohore OAK dhe KGJK do të arrijnë marrëveshje lidhur me kërkesat që do të dakordohen bashkërisht”, thuhet në njoftimin e Odës së Avokatëve.

Oda e Avoktave ka njoftuar se në takimin e sotëm, KGJK dhe Ministria e Drejtësisë janë zotuar dhe kanë premtuar, se me rastin e përpilimit të rregullave të reja për qasjen në gjykata, avokatët do të përfshihen 100% dhe do të kenë rol kyç në këtë drejtim.

Tutje në njoftim thuhet se Ministri i Drejtësisë, Abelad Tahiri ka kërkuar që OAK të i përpiloj një listë me problematikat e Avokatëve me Institucionet e drejtësisë duke u zotuar se personalisht do të merret me adresimin çështjeve të ngritura nga OAK, për zgjidhjen e tyre.

Sipas njoftimit kërkesat e avokatëve janë rritja e pagesave në angazhimet sipas detyrës zyrtare, ndalimi i komunikimeve inter-partes, krijimi i kushteve për avokatë dhe palë në të gjitha gjykatat, rrijta e transparencës së punës së gjykatave në komunikim, publikimin në monitorë të gjykatave, lejimi i çasjes në restorant dhe byfe, pajisja e zyrave për avokat dhe korridoreve me inventar, ndryshimi i ligjeve respektive për përfaqësuesin e OAK në KGJK, KPK dhe Komisionin për Provimin e Jurisprudencës dhe angazhimin maksimal në ndryshimin e Ligjit për Procedurën Kontestimore.