Ruairi O'Connell në panairin për vullnetarët | Foto: KALLXO.com

O’Connell Viziton Panairin për Vullnetarët

Ambasadori britanik, Ruairí O’Connell, bëri vizitë në panairin e vullnetarëve të mbajtur në amfiteatrin pranë sheshit Zahir Pajaziti.

Në këtë panair marrin pjesë mbi 30 organizata të cilat ua prezantojnë vizitorëve punën dhe i ftojnë ata bëjnë punë vullnetare në projektet dhe aktivitetet të cilat i realizojnë.

Panairi është mbështetur nga Ambasada britanike dhe e realizuar nga organizata joqeveritare Demokraci për Zhvillim D4D.

KALLXO.com mëson se një panair i ngjashëm është mbajtur në muajin shkurt brenda teatrit “Oda”.

Rrezarta Delibashzade nga D4D është shprehur e kënaqur me pjesëmarrjen e njerëzve në panair pavarësisht motit të ftohtë.

“Kësaj radhe kemi dalë në ambient më të hapur në mënyrë që qytetarët ta kenë më të lehtë qasjen për të marrë informata dhe për t’u regjistruar si vullnetarë”,tha Delibashzade.

Ajo më tutje tregoi se edhe herën e kaluar kur aktiviteti u mbajt në ambient të mbyllur, por edhe këtë herë ka interesim të qytetarëve.

“Herën e kaluar ka qenë një numër mjaft i madh i të interesuarve për t’u bërë vullnetarë. Ndërsa kësaj here i kemi qytetarët të cilët po e shohin që po mbahet një aktivitet, po afrohen dhe po regjistrohen si vullnetarë”, tha Delibashzade.

Në Kosovë vullnetarët shpesh orientojnë dhe u japin informacione të pranishmëve kryesisht nëpër ngjarjet kulturore të vendit.